E premte, Maj 1, 2026
Ballina Aktualitet Shqipëri-Kosovë “pa kufi”, nis lëvizja e lirë në pikat kufitare

Shqipëri-Kosovë “pa kufi”, nis lëvizja e lirë në pikat kufitare

0
14

Duke nisur nga kjo e premte, 1 maj, Shqipëria dhe Kosova kanë rivendosur zyrtarisht lëvizjen pa kontrolle kufitare për automjetet me targa të të dy vendeve.

Kjo masë do të zgjasë deri më 30 shtator dhe synon të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin gjatë sezonit veror, periudhë kur rritet ndjeshëm numri i udhëtarëve.

Sipas marrëveshjes së arritur, mjetet me targa shqiptare dhe kosovare do të kalojnë në pikat kufitare pa ndalesa dhe pa procedurat e zakonshme të kontrollit.

Ndërkohë, automjetet me targa të huaja do t’i nënshtrohen vetëm verifikimeve të shpejta, me qëllim shmangien e pritjeve dhe radhëve të gjata, veçanërisht në pikën Morinë–Vërmicë.

Ky lehtësim i lëvizjes rikthehet pas një periudhe dy mujore ndërprerjeje, gjatë së cilës, në mars dhe prill, u aplikuan kontrolle të plota kufitare. Megjithatë, edhe në atë periudhë, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës vazhdoi të zbatohej një regjim i thjeshtuar.

Ky bashkëpunim mes dy vendeve është konsideruar ndër vite i suksesshëm, duke sjellë përfitime të dukshme sidomos në sezonin veror, si rritje të turizmit, lehtësim të vizitave familjare dhe nxitje të shkëmbimeve tregtare.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë orëve të para të së premtes, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë rreth 20 mijë qytetarë, pjesa më e madhe e të cilëve nga Kosova.

Zjarr Tv Ad