E shtunë, Maj 2, 2026
Ballina Aktualitet Krisja mes SHBA dhe BE/ Ç’tregojnë akrobacitë e Edi Ramës brenda aleancës

Krisja mes SHBA dhe BE/ Ç’tregojnë akrobacitë e Edi Ramës brenda aleancës

0
13

Nëse lexohet me kujdes sjellja e kryeministrit Edi Rama kohët e fundit duket sikur është zbehur tek ai, zelli me të cilin nxitonte të afrohej me Bashkimin Europian. Edhe vizitën e fundit në Spanjë, Rama e përcolli ftohtë pa një mesazh të qartë për takimet që kreu. Përkundrazi, në deklaratat që ka lëshuar për mediat e huaja këtë periudhë, Rama i është rikthyer një retorike shpërfillëse, gati arrogante ndaj Bashkimit Europian, një pozicion i ngjashëm me atë kur propagandonte Ballkanin e Hapur bashkë me Vuçiçin.

Kjo retorikë e kalkuluar, i ka dhënë formë një Edi Rame prepotent, aspak në staturën e një kryeministri të një vendi të vogël aspirant për t’u integruar në Bashkimin Europian. Dallohet lehtë se si Rama nuk kujdeset më për të lëshuar thagma mbi “gabimet” e Bashkimit Europian; se si jep leksione për sjelljen e europianëve me faktorët e tjerë globalë, apo kur relativizon vendimet e politikanëve të huaj me një superioritet të pajustifikuar.

Deklaratat se “Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë Gjermani” apo se Europa vuan nga probleme neurotike, tregojnë pikërisht këtë qasje të re. Madje nën sfondin e pikturave të tij të ekspozuara në Berlin, ai lëshoi edhe shashkën e radhës, kur tha se Bashkimi Europian ka ndryshuar pas luftës në Ukrainë, sepse ka kuptuar se “vendet mund te humben”.

Pyetja që ngrihet pas këtij pohimi është se si mund ta humbasë Bashkimi Europian Shqiperinë, që prej dekadash aspiron integrimin europian? Në ç’drejtim tjetër mund të fokusohet politika jonë e jashtme, që BE ta konsiderojë të humbur?

Leximi më realist është se kryeministri i referohet me “humbje” të shteteve nga BE, afrimin e Shqipwrisw me SHBA, në një kontekst krize në aleancën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Çarja e aleancës është e shumëfishtë, që nga politikat për emigracionin, tek përplasjet ekonomike dhe se fundmi ndarja ushtarake, kur vendet europiane refuzuan sulmet ndaj Iranit, ndërsa Trump po tërheq një pjesë të trupave amerikane nga Gjermania.

Kjo skizmë transatlanttike ka krijuar një moment të ri për vendet e Ballkanit Perëndimor që deri dje nuk kanë pasur shumë alternativa. Madje, duke parë këtë hapësirë të re të krijuar nga kriza e të mëdhenjve, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, dy autokratë që përballen rregullisht me refuzimet e Brukselit, arritën kulmin e arrogancës me letrën, ku kërkonin në mënyrë të pacipë të bëheshin pjesë e tregut të përbashkët të unionit dhe zonës shengen, duke pranuar hapur se nuk kishin ndërmend të plotësonin kushtet politike, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, liritë dhe të drejtat e njeriut etj.

Por përtej kësaj sfide ndaj Brukselit që u harrua shpejt, janë disa episode konkrete që tregojnë se Edi Rama po bën çmos ta orientojë qeverinë drejt sqetullës së Trump, duke marrë kosto në raport me Bashkimin Europian që sapo ka eleminuar brenda tij një trumpist të thekur si Viktor Orban.

1) Vizita në Izrael, takimi me Netanjahun

Vizita e Edi Ramës në Izrael në fillim të këtij viti dhe takimi me Benjamin Netanjahun në kulmin e masakrave në Gaza ishte një dorashkë sfide për Bashkimin Europian. Për kryeministrin e Izraelit ka një mandat arresti nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për genocidin në Gaza dhe përdorimin e urisë si mjet lufte ndaj popullsisë civile. Si akt diplomtik, kjo vizitë ishte në drejtim të kundërt me qëndrimin e Bashkimit Europian.

Si të mos mjaftonte kjo, Rama mori pjesë edhe në një konferencë ku ishin përfaqësuesit më radikalë të së djathtës europiane, një pjesë e tyre në zgrip të ligjit për shkak të retorikës raciste, ksenofobe dhe islamofobe.

Por duhet theksuar se si Benjamin Netanjahu, ashtu edhe nacionalistët europianë që takoi Rama në Izrael shihen me simpati nga Donald Trump dhe lëvizja e tij, MAGA.

2) Pjesëmarrja aktive në Bordin e Paqes

Në të njëjtën linjë ishte pjesëmarrja e Ramës në Bordin e Paqes. Që kryeministri i Shqipërisë do t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së presidentit të SHBA, kjo ishte mëse e pritshme. Por Rama shkoi akoma më tej? Ai bëri çmos të fusë ushtrinë shqiptare si pjesë e forcës paqeruajtëse në Gaza si një nga 5 vendet me shumicë myslimane që u bënë pjesë e këtij projekti.

Sërish ky angazhim ushtarak në një projekt si ai i Gazës binte ndesh me qëndrimin e Bashkimit Europian. Disa kryeministra europianë e kishin refuzuar me takt ftesën e Ramës, pasi unioni e refuzoi njëzëri planin e Trump në menaxhimin e Gazës. I vetmi që ishte në bord, Viktor Orban i Hungarisë.

Në termat e politikës së jashtme, zgjedhja pro SHBA ishte e qartë, por në anën tjetër ishin shkallmuar plotësisht pritshmëritë e Bashkimit Europian për një vend aspirant.

3) Kritikat ndaj BE për Rusinë

Një tjetër element që e thellon diferencën me politikën e jashtëme të Bashkimit Europian është qasja ndaj Rusisë. Në një intervistë për Politico, disa ditë më parë Rama deklaroi: “Europa ka bërë një gabim të madh strategjik duke ndërprerë çdo kanal me Rusinë. Europa duhet të jetë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë në komunikim me të gjithë.” Në shashkat që Rama tani nuk i kursen për mediat europiane, lexohen qëndrimet e një politikani që nuk e bashkon asgjë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Rama në fakt duket sikur përpiqet të japë një mesazh krejt të kundërt me politikat e BE.

“Sa më shumë ta shtyjmë këtë [dialogun me Rusinë], aq më pak do të kemi ndikim në fund, sepse Rusia, sido që të përfundojë kjo luftë, nuk do të zhduket,” vazhdon ai.

Edhe gazetarët e Politico e dallojnë kontrastin. Ata shkruajtën se deklaratat e Ramës bien ndesh me qasjen e zyrtarëve të lartë të BE-së si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, të cilat kanë shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me udhëheqësit rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, duke argumentuar se bisedimet janë të pakuptimta nëse Moska vazhdon luftën.

Por duhet thënë, ky është një pragmatizëm që ngjason shumë me qasjen e Donald Trump për luftën në Ukrainë. Presidenti i SHBA bëri çmos të përmirësojë marrëdhënien me presidentin Putin, duke e vënë theksin në dialogun e përbashkët.

4) Oferta: SHBA mund ta sulmojë Iranin nga Shqipëria

Kulmi i pozicionimit të Shqipërisë jashtë vijave të Bashkimit Europian është oferta për përdorimin e territorit shqiptar për operacionet e ushtrisë amerikane kundër Iranit. Në të njëjtën intervistë, në Politico, Rama deklaroi se do ta miratonte sulmin e amerikanëve nga territori shqiptar drejt Iranit me kusht që SHBA të siguronte “mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi në vend.” Dhe më tej: “Nuk na takon ne [Shqipërisë] të vendosim si të trajtohet Irani në skenën globale, por na takon të mbështesim çdo përpjekje për të dobësuar dhe ndoshta për të rrëzuar atë regjim”.

Deklarata erdhi pasi disa vende të BE-së refuzuan kërkesa të ngjashme dhe ky pohim e vendos Shqipërinë në përputhje me linjën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aspak në atë të Bashkimit Europian.

Episodet e rreshtuar njëri pas tjetrit zbulojnë një përpjekje të ethshme të kryeministrit shqiptar për të qenë sa më i qartë, si me amerikanët, ashtu dhe me europianët se në këtë përplasje brenda aleancës, Rama e ka bërë zgjedhjen e tij.

Dhe këtu merr shpjegim edhe kjo çartje e kohëve të fundit të kryeministrit që integrimin në Bashkimin Europian po e trajton si një proces rutinë, që do të ndodhë, por edhe mund të shtyhet, po edhe mund të relativizohet, po edhe mund të sfidohet. Në fund të fundit, për aq kohë sa gjendja brenda (ish) aleancës perëndimore i ngjan një cirku, edhe Rama po bën akrobacitë që mendon se e mbajnë më gjatë në skenë./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad