E shtunë, Maj 9, 2026
Ballina Aktualitet Protesta kombëtare e opozitës, përplasje dhe molotovë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Protesta kombëtare e opozitës, përplasje dhe molotovë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

0
10

Për afro dy orë e 30 minuta opozita protestoi për largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Marshimi i opozitës nisi paqësisht përpara kryeministrisë me një minutë heshtje në nderim të dy të miturve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Durrës.

Pasi qëndruan për afro 30 minuta poshtë selisë së qeverisë, ku munguan fjalimet politike, protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, aty ku u shënuan dhe përplasjet e para me uniformat blu. Shkak i tensioneve u bë një kordon i vendosur nga policia që i pamundësoi protestuesve vijimin e tubimit përtej perimetrit të sigurisë të vendosur nga policia. Tentativës së policisë për ta shpërndarë turmën me ujë e gaz lotsjellës, kjo e fundit iu kundërpërgjigj me molotov.

Në pamundësi për të çarë perimetrin e sigurisë sapo kaluan ish-hotel Dajtin, protestuesit të shoqëruar nga deputetët e opozitës tentuan të rikthehen drejt kryeministrisë, por edhe këtu u penguan nga policia. Nuk mjaftuan as thirrjet e deputetëve demokratë dhe as përplasja me uniformat blu për t’i mundësuar protestuesve vijimin e marshimit aty ku e nisën.

Sali Berisha i cili shoqëroi përgjatë gjithë marshimit qytetarët ku ishte në jo pak raste shënjestër e autobotit me ujë, akuzoi drejtuesit e policisë se mohuan një të drejtë kushtetuese të protestuesve në shkelje të ligjit themeltar të shtetit. Pas tentativave të dështuara, Berisha i tërhoqi protestuesit në selinë blu, nga ku i dha mesazhin radhës kundërshtarit të tij politik. Ndonëse nuk caktoi një datë për protestën e radhës, Berisha tha se opozita nuk do të ndalet deri në përmbushjen e misionit të saj.

Zjarr Tv Ad