E hënë, Maj 11, 2026
Ballina Aktualitet Tha se do bënte burg për Veliajn, Robert Ndrenika: Ishte metaforë! 

Tha se do bënte burg për Veliajn, Robert Ndrenika: Ishte metaforë! 

0
20

Deklarata e aktorit të madh Robert Ndrenika drejtuar kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, “Ç’të mbeti nga burgu do ta vazhdoj unë,” shkaktoi një stuhi reagimesh në opinionin publik.

Në një intervistë telefonike në SYRI TV, aktori ka shpjeguar kuptimin e fjalëve të tij, duke e cilësuar si një “thënie të vjetër shkrimtarësh turq” dhe jo një mbështetje për akuzat e korrupsionit, për të cilat tha se nuk ishte në dijeni.

Ngjarja ndodhi pak minuta para seancës gjyqësore të Veliajt, ku salla e gjyqit u shndërrua në një ambient pritjeje për mbështetësit e tij. Pas një përqafimi dhe një puthjeje në ballë, Ndrenika i tha kryebashkiakut fjalët që u bënë virale, duke nxitur një debat të gjerë për qëndrimin e artistëve ndaj figurave politike të akuzuara për korrupsion.

Në mbrojtje të vetes, Ndrenika sqaroi se shprehja e tij ishte një metaforë solidariteti me rrënjë historike.

Ai rrëfeu një histori nga koha e Turqisë, ku nipi i një të burgosuri, Bedeli, ofrohet të vuajë dënimin e tij. “Në këtë kuptim ia kam thënë,” pohoi aktori, duke shtuar se e ka thënë sepse i vinte keq për Veliajn, të cilin e njihte që fëmijë. I pyetur nëse i njihte akuzat specifike ndaj kryebashkiakut, Ndrenika u përgjigj: “Jo, nuk i kam marrë vesh. Di vetëm që ka punuar mirë. Po ka vjedhur, le të marrë dënimin e merituar.”

Aktori pranoi se mendimi i tij për Erion Veliajn ka “evoluuar”. Ai përmendi ndryshimin e qëndrimit për çështjen e Teatrit Kombëtar, ku fillimisht ishte kundër prishjes, por tani mbështet projektin e ri, duke u shprehur se “atje po bëhen çudira”.

Zjarr Tv Ad