E enjte, Maj 14, 2026
Ballina Aktualitet Lapaj: Ja sistemi zgjedhor që propozojmë

Lapaj: Ja sistemi zgjedhor që propozojmë

0
17

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka prezantuar në rrjetet sociale një sërë propozimesh për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, duke theksuar nevojën për një reformë të thellë që, sipas tij, rrit përfaqësimin dhe besueshmërinë e procesit.

Lapaj propozon një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore, duke argumentuar se kjo do të siguronte barazi të votës në të gjithë territorin dhe përfaqësim më të drejtë në Kuvend.

Sipas tij, proporcionalja kombëtare bën që “vota të ketë vlerë të barabartë në çdo cep të atdheut”, ndërsa deputetët do të mbajnë përgjegjësi kombëtare dhe jo vetëm rajonale.

Postimi i Lapajt:

Çfarë kemi propozuar?

Një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura me koalicione parazgjedhore!

Përse proporcional kombëtar?

Që vota të ketë vlerë të barabartë në çdo cep të atdheut. Që vullneti i qytetarëve të përkthehet siç ata e japin në përfaqësim politik në Parlament. Që deputetët të mbajnë përgjegjësi kombëtare para elektoratit për mënyrën si e ushtrojnë mandatin e tyre duke ulur fuqinë e votës krahinore subjektive.

Nuk duhet harruar se deputeti voton ligje që kanë efekt në të gjithë territorin e Shqipërisë  dhe jo veç për një rajon të caktuar, pra vendimet e tyre prekin jetën e të gjithëve ndaj dhe puna e tyre duhet të gjykohet e vlerësohet nga të gjithë.

Përse lista të hapura?

Që votuesi të ketë mundësinë të vlerësojë vetë punën e çdo të zgjedhuri. Që mos të imponohen përmes listave të mbyllura ata që duan kryetarët. Që deputeti të ndihet përgjegjës e të japë llogari te qytetari që e voton dhe jo te kryetari që e emëron.

Përse koalicione parazgjedhore?

Që të mundësohet maksimizimi i votës pa humbur identitetin politik të forcave që bashkëpunojnë! Që çdo forcë politike të ruaj elektoratin e vetë! Që kryetarët të vrasin egot dhe të detyrohen të gjejnë gjuhën e zgjidhjes!

Përse depolitizim i administratës zgjedhore në nivel të KZAZ-ve duke përfshirë profesionet e lira?

Me qëllim që në procesin e administrimit dhe numërimit të votës procesi të administrohet nga profesionet e lira (avokat, noter, psikolog e të tjerë) të cilët caktohen me short. Kjo rrit besueshmërinë, paanshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Përse pragu 4%?

Sepse synimi duhet të jetë demokratizimi dhe hapja e garës, por kurrësesi fragmentarizimi deri në anarshi. Në sistemet proporcionale kombëtare pragjet 3, 4 ose 5% janë një praktikë krejt e zakonshme. Pragu shërben si filtër ndaj krijimit të subjekteve që përfaqësojnë interesa të botës së errët.

Nga ana tjetër, subjektet politike me kauza reale kanë mundësinë të bashkohen në koalicione parazgjedhore për të mos humbur përfaqësimin.

Pragu nxit organizimin politik dhe bashkimin rreth ideve e programeve, ndërsa njëkohësisht garanton stabilitet qeverisës dhe përfaqësim dinjitoz.

Përse 140 deputetë?

Sepse me miratimin e votës së diasporës numri i votuesve nuk ka rënë, përkundrazi pritet të rritet.

Sepse ulja e numrit nuk sjell kursim ekonomik (është propagandë e kundërta), por rrit përqëndrimin e pushtetit dhe kontrollin mbi Parlamentin.

Sepse një Parlament me më pak deputetë bëhet më i ekspozuar ndaj ndikimit të grupeve të interesit, duke rrezikuar miratimin e ligjeve që u shërbejnë pakicave të fuqishme dhe jo interesit publik.

Sepse ulja e numrit e rrit shumë numrin e votave që duhet për nxjerrje mandati e për pasojë e vret garën duke i dhënë avantazh partisë në pushtet.

Shqipërisë i duhet një ligj i ri zgjedhor, por kësaj here i duhet real. Pa bërë llogari interesash të vogla, por duke menduar demokratizmin dhe stabilizimin përfundimtar të vendit për të mbyllur tranzicionin e stërzgjatur!

Zjarr Tv Ad