Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për zhvillimin e “Turit Çiklistik të Shqipërisë 2026”, aktivitet që do të mbahet në datat 18, 19, 20, 21 dhe 22 maj 2026 në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Turi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë do të organizohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe me bashkitë përkatëse. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë skuadra çiklistike nga Shqipëria, vendet e Ballkanit dhe Europa.
Duke qenë se turi do të përshkojë disa nga akset dhe qytetet kryesore të vendit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, i cili do të angazhojë strukturat vendore të Policisë, Policinë Rrugore dhe strukturat mbështetëse, me qëllim garantimin e rendit publik, sigurisë rrugore dhe eskortimin e çiklistëve gjatë gjithë itinerarit.
Sipas Policisë, itinerari i etapave do të jetë si më poshtë:
Etapa I – 18 maj 2026
Orari i bllokimit: 12:00
Sheshi “Skënderbej” – bulevardi “Zogu i Parë” – rruga “Dedë Gjo Luli” – rruga “Myslym Shyri” – bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – rruga “Lekë Dukagjini” – rruga “Ibrahim Rugova” – bulevardi “Gjergj Fishta” – Unaza e Madhe – autostrada Tiranë–TEG–Thumanë–Milot–Rrëshen–Reps – kthimi për në Milot – finishi në Lezhë.
Etapa II – 19 maj 2026
Orari i bllokimit: 12:00
Lezhë–Vorë–Golem–Rrogozhinë – finishi në Elbasan.
Etapa III – 20 maj 2026
Orari i bllokimit: 12:00
Elbasan–Belsh–Kuçovë–Lushnjë–Unaza e Fierit – finishi në Vlorë.
Etapa IV – 21 maj 2026
Orari i bllokimit: 12:00
Vlorë–Tuneli i Llogarasë–Himarë–Kuç–Lepincë–Kotë – finishi në Vlorë.
Etapa V – 22 maj 2026
Orari i bllokimit: 10:00
Vlorë–Rrethrrotullimi i Lushnjës – finishi në Fier.
Policia e Shtetit apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të aktivitetit, si dhe rekomandon përdorimin e akseve alternative në segmentet ku do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit.




