E shtunë, Maj 16, 2026
Ballina Aktualitet Shkrihet Komisariati i Sarandës, shefat morën ryshfet nga një grup kriminal për...

Shkrihet Komisariati i Sarandës, shefat morën ryshfet nga një grup kriminal për të lejuar ndërtimin pa leje

0
22

Shefi i komisariatit të Policisë së Sarandës, dhe tre vartës të tij janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Policia e Shtetit. Ndalimi i tyre vjen zbulimit të një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr.1 në Sarandë. Për rastin gjithashtu u arrestuan 8 persona të cilët punonin në objekt si dhe një grua e cila posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje. Nga hetimet dyshohet se funksionarët e policisë kanë lejuar dhe favorizuar ndërtimin pa leje, duke mos marrë masat e nevojshme për ndërprerjen e paligjshmërisë.

Ata dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës. Ndërtimi i konstatuar pa leje, u shemb nga IKMT, IMT dhe Policia bashkiake Sarandë, në bashkëpunim edhe me policinë e shtetit.

Prona në fjalë herë pas here sipas burimeve të policisë dyshohet se është bërë shkak për konflikte mes individëve, por edhe për ngjarje kriminale. Punonjësit e policisë së Sarandës, u pezulluan menjëherë nga detyra nga kryepolici Skender Hita.

I pezulluar nga detyra është dhe shefi i seksionit për hetimin e krimeve në policinë e Sarandës, Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Zjarr Tv Ad