E mërkurë, Maj 20, 2026
Ballina Aktualitet Meta publikon pyetje për SPAK: 4 vite pa iu dërguar SHBA-së për...

Meta publikon pyetje për SPAK: 4 vite pa iu dërguar SHBA-së për kontratën e lobimit

0
15

Ilir Meta ka reaguar nga qelia e burgut me një shlrim të gjatë në rrjete sociale ku deklaron se kanë mbetur pa u dërguar prej katër vitesh “pyetjet e munguara” të tre prokurorëve të SPAK-ut drejtuar Departamentit të Drejtësisë në SHBA, lidhur me çështjen e kontratës mes LSI-së dhe kompanisë lobuese GSIS të vitit 2016.

Sipas Metës, këto pyetje dhe dokumente janë thelbësore për zbardhjen e plotë të çështjes dhe për të sqaruar, siç thotë ai, mënyrën e funksionimit të kontratës, pagesave dhe komunikimeve mes palëve.

Ai kërkon që autoritetet amerikane të japin të gjithë informacionin përkatës, duke pretenduar se mungesa e këtyre të dhënave ka penguar, sipas tij, hetimin e drejtë.

Meta shton se transparenca e plotë është e domosdoshme për të vërtetuar ligjshmërinë e veprimeve dhe për të sqaruar përgjegjësitë në këtë çështje.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Më 23 qershor 2026, përfundon afati i imponuar nga një gjykatë në SHBA, që ka urdhër kompaninë GSIS që për dy vjet të mos i japë asnjë informacion LSI-së lidhur me shërbimet dhe pagesat e bëra midis dy palëve sipas kontratës së 3 shkurt 2016, të regjistruar në SHBA dhe Shqipëri, në respekt të plotë të ligjeve antikorrupsion të të dy vendeve.

Ky vendim ka ardhur si pasojë e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë.

Së pari dua të sqaroj se ky vendim ka shërbyer qëllimisht vetëm për të më pamundësuar mua të garantoj provat që më shfajësojnë nga akuzat, si dhe të kem mundësi kontrolli të ligjshmërisë së provave të pretenduara nga akuza.

Ndaj në respekt të kontratës së ligjshme të 3 shkurtit 2016 midis GSIS dhe LSI dhe të vullnetit të shprehur nga autoritetet amerikane, për të dhënë të gjitha sqarimet e detajuara që do të kërkohen, po i ndihmojmë tre prokurorët e SPAK-ut me pyetjet e munguara prej katër vitesh që duhet t’i dërgojnë Departamentit në Drejtësisë në SHBA lidhur me këtë çështje:

1- Bazuar në pikën e Ndërprerjes së Marrëveshjes, duam dokumentin origjinal të ndërprerjes së kësaj Marrëveshjeje për të saktësuar:

a) Ditën kur janë ndërprerë ligjërisht këto marrëdhënie kontraktuale;

b)  Personin konkret nga LSI që ka nënshkruar këtë Marrëveshje.

2- Nëse kjo marrëveshje vërtetohet se ka përfunduar, atëherë sipas detyrimit ligjor duhet në origjinal i gjithë produkti i punës që GSIS i ka dorëzuar LSI nga dita e parë deri në ditën e mbylljes së marrëveshjes.

3- Po kështu, në këtë rast GSIS duhet të dorëzojë të gjithë informacionin konfidencial që i ka dhënë LSI dhe të gjithë informacionin konfidencial që ka marrë nga LSI.

Kjo do ta ndihmonte SPAK të identifikonte personin përgjegjës në LSI që ka marrë informacionin nga GSIS apo edhe personin që i ka dhënë informacionin konfidencial të LSI drejtuar GSIS.

Sepse, siç mund të supozohet, jemi në rastin që kemi të bëjmë me të njëjtin person ose me dy persona të ndryshëm që duhet të merren në pyetje nga prokurorët.

4- Duhet të pyetet GSIS a ka ndodhur ndonjë transferim apo nënkontraktim i kësaj Marrëveshje dhe nëse po, kush është personi që e ka dhënë pëlqimin me shkrim sipas kontratës nga LSI?

5- Në kontratë, në fund të Marrëveshjes së plotë saktësohet se: “Kjo Marrëveshje mund të ndryshohet  ose modifikohet herë pas here vetëm me marrëveshje me shkrim të të dyja Palëve të nënshkruara nga përfaqësuesit e autorizuar”.

Bazuar mbi këtë pikë të Marrëveshjes, a ka ndodhur ndryshimi ose modifikimi  i Marrëveshjes? Nëse po të vihet urgjentisht në dispozicion të SPAK që të intervistohet personi nga LSI që e ka nënshkruar dhe personi që e ka autorizuar këtë ndryshim.

6- Meqënëse SPAK ka dyshime se shtetasi amerikan A.SH mund të ketë bërë pagesa të paligjshme në funksion të LSI me të ardhura të pretenduara nga korrupsioni në Shqipëri për llogari të GSIS, ju lutem të na siguroni pëlqimin me shkrim sipas kontratës në këtë rast që mund të ketë marrë  nga LSI dhe se dyti autorizimin konkret që LSI supozohet t’i ketë dhënë A.SH.

7- Nëse kontrata nuk ka ndryshuar, duhen të dërgohen faturat origjinale që GSIS i ka dërguar LSI që të merret në pyetje personi konkret që i ka marrë sipas Marrëveshjes.

8 – Të dërgohen të gjitha pagesat që janë bërë nga LSI për GSIS në origjinal, që përsëri të merren në pyetje personat konkretë.

Janë edhe plot pyetje të tjera, por këto janë elementaret që i duhen përcjellë autoriteteve amerikane për kompaninë GSIS sepse vetëm transparenca mund të garantojë legjitimitetin e procesit.

Nëse këto pyetje nuk adresohen dhe këto të dhëna nuk merren atëherë është e qartë se tre prokurorët e SPAK nuk kanë patur kurrë interes zbardhjen e së vërtetës por vetëm i kanë shërbyer lojës politike, siç u vërtetua me akuzën e rrëzuar zyrtarisht që në 15 nëntor 2024 për gjoja lobimin 1 milion dollarë me “McKeon Group” për foton e pabërë me Presidentin Trump, njoftim që  na u fsheh qëllimisht deri pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Zjarr Tv Ad