Baki Goxhaj, aktivisti shqiptar që ishte ndaluar nga autoritetet izraelite gjatë një udhëtimi drejt Gaza Strip, ka mbërritur në Shqipëri dhe është pritur në aeroportin e Rinasit, ku është takuar mes emocioneve dhe lotëve me familjarët dhe fëmijët e tij.
Pas mbërritjes, ai ka qëndruar për rreth dy orë në komisariatin e Rinasit, ku është marrë në pyetje nga autoritetet shqiptare.
Goxhaj ka deklaruar se ishte pjesë e një flotiljeje aktivistësh që synonte të shkonte drejt Gazës si pjesë e një nisme online për mbështetjen e çështjes palestineze.
Sipas rrëfimit të tij, grupi është ndaluar në det ndërkombëtar nga mjete ushtarake izraelite dhe është marrë me forcë në një anije më të madhe, ku ai pretendon se janë mbajtur të ndaluar për disa ditë me kushte të vështira.
“Dhuna dhe poshtërimi ishte kryefjala e kësaj marrje peng. Në çdo përballje me ushtarët, qëlloheshim poshtëroheshim, kemi qenë gjithë kohën me kokën poshtë, nëse ti bëjë pak rezistencë, koka përfundonte në tokë.
Siç mua më ndodhi një rast. Në momentin që nuk kishte sy të tjerë njerëzish, ushtarët bëheshin në grup dhe rrihnin aktivistët. Tre ushtarë duke dalë nga anija, më mbajtën në fund dhe më dhunuan në grup.
Në Turqi u nisëm dje nga dreka dhe pjesë tjetër të kohës kemi qenë në aeroportin e Turqisë, ku më priti konsulli shqiptar në Stamboll, bashkë me stafin e vet”, tha Goxhaj për Ora News.




