E hënë, Qershor 1, 2026
Ballina Aktualitet Ngjarja në Zvërnec, Skënder Hita: Ajo trupë policore na turpëron të gjithëve

Ngjarja në Zvërnec, Skënder Hita: Ajo trupë policore na turpëron të gjithëve

0
35

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë këtë të hënë, më 1 qershor, në një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Zvërnec ku një qytetar u dhunua nga punonjësi i një kompanie private të sigurisë, ndërsa po protestonte kundër zhvillimit të një projekti në zonë.

“Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë dhe përjetuan atë ditë.”, tha Hita, i cili njoftoi masat e marra pas këtij rasti, për ristrukturimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Ai deklaroi se sot prezantoi drejtorin e ri të komanduar të Policisë së Vlorës, Edvin Ndreun, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

Ndërsa për ish-drejtorin Elidon Çela, Hita tha se “u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier.

Lidhur me ngjarjen e Zvërnecit, Hita pranoi se strukturat e policisë “nxorën mësimet e duhura!”. Përgjegjësia për mbarëvajtjen e organizimit të protestës atje sipas Hitës, ka qenë e drejtorisë së Policisë së Vlorës, ndaj janë marrë dhe këto masa për riorganizimin e strukturave të institucionit.

Ai tha se, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kurrsesi nuk mundet të pranojë në asnjë rast “dobësinë e papranueshueshme të tre ditëve më parë në Zvërnec”, nga trupa e punonjësve të kompanive private të sigurisë, duke shtuar se “ajo trupë na turpëron të gjithëve!”

Prandaj kreu i Policisë së Shtetit tha se ka urdhëruar të ngrihet një grup i posaçëm hetimor për ngjarjen, i cili ka konstatuar një sërë shkeljesh nga ana e dy kompanive të sigurisë, të cilave u është hequr licenca. Rezultatet përfundimtare të hetimeve do t’i bëhen të njohura opinionit publik më vonë.

Hita theksoi ndër të tjera, se Policia e Shtetit do të jetë e pranishme 24/24 për të garantuar rendin dhe sigurinë dhe se asnjë shkelje ligji nuk do tolerohet.


Incidenti i së shtunës, solli pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Në vend të tij, u komandua Edvin Ndreu.

Ndërsa ka nisur gjithashtu edhe hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.

Ngjarjet ndodhën ndërsa po mbahej një protestë nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, pasi janë të shqetësuar se mund të ketë pasoja të mundshme mjedisore. Një protestues u pa në një video virale në rrjetet sociale duke u tërhequr zvarrë nga punonjës të kompanisë private të sigurisë, ndërsa u godit me grusht dhe njëri prej tyre.

Zjarr Tv Ad