E hënë, Shtator 28, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Nga Vlora Hyseni te inceneratorët e AKSHI/ Bardhi: Sa herë do të...

Nga Vlora Hyseni te inceneratorët e AKSHI/ Bardhi: Sa herë do të thotë Rama “nuk dija”?

0
17

Një ditë pasi Edi Rama u përpoq të lante duart dhe ta shkëpuste përgjegjësinë e tij nga skandali me ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni që informonte Ergys Agasin në kohën kur ky ishte shpallur në kërkim, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i kërkoi kryeministrit të japë përgjigje pikërisht për pjesën që ai e anashkaloi: si mbërriti Hyseni në krye të institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës në vend, kush e rekomandoi dhe çfarë verifikimesh u kryen përpara se asaj t’i besohej një nga postet më sensitive të shtetit.

Në daljen e tij pas kthimit nga Nju Jorku, Rama e minimizoi skandalin duke ia lënë përgjegjësinë Vlora Hysenit me parimin e përgjegjësisë individuale. Kryeministri pranoi se sa herë një bashkëpunëtor i tij përballet me drejtësinë, ndaj tij rikthehet pyetja se si është e mundur që nuk dinte asgjë.

“Po si mund të mos e dija? Po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë? Po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës?”, pyeti Rama.

Sipas tij, një kryeministër nuk mund të parashikojë se kur një vartës vendos të shkelë ligjin dhe aq më pak të dijë se çfarë bën ai fshehurazi.

“Kryeministri as nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e çdo individi përballë tundimeve të pushtetit, as e ka të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët e vet se çfarë bëjnë nën rrogoz dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt”, u shfajësua ai.

Por në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD tha se në vend të këtij shfajësimi fëminor, i takon të japë shpjegime mbi çfarë informacioni u mor vendimi për ta emëruar Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, kush e rekomandoi dhe çfarë kontrolli u ushtrua më pas.

“Dje ishte dita kur Edi Rama duhet të jepte llogari se përse, në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, propozoi dhe përzgjodhi një person që ishte njohje e tij personale, pa asnjë lidhje dhe asnjë kontribut të njohur në Republikën e Shqipërisë. Kush ia propozoi si këshilltare dhe kush e loboi më pas për postin më të lartë të institucioneve të sigurisë në vend?”, pyeti Bardhi.

Rasti i Vlora Hysenin ndryshon nga shkeljet e rëndomta të një zyrtari shtetëror, për sa kohë drejtuesi i SHISH-it zgjidhet direkt nga kryeministri dhe duhet të kalojë një veting të rreptë para se të marrë emërimin. Ndaj, Bardhi kërkoi edhe identifikimin e atyre “partnerëve ndërkombëtarë”, për të cilët Rama ka thënë se kishin dhënë referenca shumë të mira për Hysenin.

“Nëse përzgjedhja është bërë se paske marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet partnere… na i trego kush janë këta partnerë ndërkombëtarë? Cili është shastisur nga veprimet e SPAK? Cili shtet, cili partner ndërkombëtar, cili shërbim i huaj sekret?”, tha Bardhi.

Ai kërkoi gjithashtu të dijë se çfarë u verifikua nga autoritetet shqiptare për largimin e mëparshëm të Hysenit nga strukturat drejtuese të inteligjencës në Kosovë dhe, mbi të gjitha, çfarë bëri Rama kur opozita ngriti akuza për lidhjet e saj me Ergys Agasin.

“Çfarë masash ka marrë Kryeministri për të verifikuar këto akuza të opozitës?”, pyeti Bardhi.

Sipas tij, alibia e Ramës se “nuk dija” nuk është një përgjigje që kryeministri po e përdor për herë të parë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së renditi një varg çështjesh që kanë shoqëruar 13 vitet e qeverisjes socialiste: dekriminalizimin, kanabizimin dhe Saimir Tahirin, koncesionet e shëndetësisë, inceneratorët, tenderat e AKSHI-t, akuzat ndaj Belinda Ballukut, Policinë e Shtetit dhe marrëdhëniet e pushtetit me biznesmenë të ndryshëm.

Ka qenë Rama që fillimisht i ka mbrojtur publikisht njerëzit ose projektet e kontestuara dhe më pas, kur drejtësia ka ndërhyrë, është rikthyer te përgjegjësia individuale. Shembulli më i freskët që solli Bardhi ishte ai i inceneratorëve.

Rama dhe qeveria e tij e mbrojtën për vite modelin e inceneratorëve, ndërsa vendimmarrja për projektet kaloi nëpër disa institucione shtetërore. Më pas hetimet përfunduan duke përfshirë ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë.

“A nuk ishe ti Edi Rama garant që inceneratorët ekzistonin, punonin dhe digjnin çdo ditë plehrat e shqiptarëve?”, pyeti Bardhi, që e quajti kryeministrin “arkitekti” i aferave të ndryshme mbetet akuzë politike për aq kohë sa nuk është provuar nga drejtësia.

Bardhi solli edhe rastin e Saimir Tahirit, koncesionet e shëndetësisë, AKSHI-n dhe akuzat ndaj Belinda Ballukut për ilustruar qëndrimet e Ramës si një bashkëfajtor në krim.

“Përgjegjësia penale është çështje e drejtësisë. Ndërsa, përgjegjësia politike është çështje e llogaridhënies publike” u shpreh kreu i grupit të PD.

Pas 13 vjetësh në pushtet, teoria se çdo ministër, drejtor apo bashkëpunëtor që përfundon në telashe me drejtësinë ka vepruar thjesht “pas shpinës” së kryeministrit ka rënë. Edhe pse SPAK nuk ka guxuar ta kalojë vijën e kuqe dhe ta përfshijë Ramën në ndonjë prej këtyre dosjeve, kjo nuk e përjashton nga përgjegjësia politike për sistemin e vjedhjes që ai ka ngritur dhe vetë po e drejton.

Për këtë arsye, opozita përsëriti kërkesën për dorëheqjen e Ramës nga posti i kryeministrit, duke ngritur pyetjen: “Nëse Kryeministri nuk di asgjë për atë që bëjnë ministrat, drejtorët dhe institucionet që varen prej tij, atëherë kush qeveris Shqipërinë?”/Lapsi.al

Zjarr Tv Ad