E shtunë, Tetor 3, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

0
16

Nga Blendi Kajsiu

Dy janë qëndrimet e kryeministrit Rama përballë cdo skandali që ka njollosur qeverisjen e tij. Së pari, përgjegjësia për korrupsionin është personale dhe jo institucionale (kupto e kryeministrit). Së dyti, qeverisja e tij po e lufton anti-korrupsionin sepse lejon që SPAK të hetojë nivelet e larta të pushtetit.

Kjo llogjikë supozon një ndarje të qartë pune në luftën anti-korrupsion. Administrata e prodhon korrupsionin ndërsa SPAK e lufton atë. Ndaj detyra e kryeministrit dhe e qeverisë në luftën anti-korrupsion është thjesht ti hapë krahun drejtësisë.

Këtu qëndron keqkuptimi themelor i kryeministrit përsa i përket luftës anti-korrupsion; delegimi i saj thjesht dhe vetëm tek sistemi i drejtësisë. Është sa absurde politikisht aq edhe e pamundur praktikisht që sistemi gjyqësor në përgjithësi, dhe SPAK me nja 30 prokurorë në veçanti, të pastrojë ahuret e një administratë publike me qindëra mijëra punonjës dhe me dhjetëra mijëra kontrata abuzive.

Aq më tepër kur sistemi gjyqësor dhe SPAK e kap korrupsionin shumë vonë, kur ai është konsumuar. Janë institucione që nuk kanë as kapacitetin dhe as mundësinë për ta parandaluar korrupsionin masiv, por vetëm për të penalizuar një përqindje të vogël zyrtarësh pasi ata janë përfshirë në të.

Ndaj institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit, dhe sidomos në parandalimin e tij, janë pushteti ekzekutiv dhe administrata publike. Sistemi i drejtësisë dhe SPAK janë korrektuesit por jo ndaluesit kryesor të praktikave korruptive në administratë. Ata janë filtri i fundit që kap ato pak mbetje që i shpëtojnë sitës anti-korrupsion të ekzekutivit dhe administratës publike.

Për këtë qëllim ekziston një arkitekturë e tërë drejtorish, inspektoriatesh, bordesh mbikëqyerje, dhe zyrash anti-korrupsion, që punësojnë me qindra, në mos mijëra punonjës, që kanë për detyrë parandalimin dhe penalizimin e akteve korruptive në administratë. Vetëm para dy vitesh kryeministri Rama firmosi krijimin e Drejtorisë së Përgjithëshme Anti-Korrupsion (DPAK) me kordinatorë në 26 institucione që kishin për detyrë parandalimin e korrupsionit në administratë. (shiko: https://shqiptarja.com/lajm/krijohet-drejtoria-e-pergjithshme-antikorrupsion-si-do-funksionoje-dhe-hapat-per-zgjidhjen-e-drejtuesit). Kjo është sita anti-korrupsion që ka shteti.

Në krye të kësaj arkitekture institucionale anti-korrupsion është vetë kryeministri Rama, që çuditërisht që nga themelimi i SPAK-ut ka arritur në konkluzionin se detyra e qeverisë së tij kufizohet tek prodhimi i lëndës së parë (zyrtarëve të korruptuar) për sistemin e drejtësisë.

Krenaria e Ramës për suksesin e SPAK-ut në zbulimin e korrupsionit të zyrtarëve të tij të lartë mund të shpjegohet vetëm nëse ai mendon se detyra e ekzekutivit është të furnizojë SPAK-un me korrupsion të nivelit të lartë. Nëpërmjet kësaj alkimie politike kryeministri e transformon çdo skandal madhor të qeverisjes Rama në një sukses akoma më ta madh anti-korrupsion të kryeministrit Rama.

Është një llogjikë perverse që e vendos ekzekutivin dhe administratën publike në rolin e institucioneve pasive që vetëm e prodhojnë por nuk e luftojnë korrupsionin. Ndërkohë këto janë dy institucionet me më shumë burime financiare, njerëzore dhe me më shumë kapacitete për të parandaluar dhe reduktuar abuzimin në qeverisje.

Për më tepër, ato e kanë për detyrë kushtetuese dhe ligjore eleminimin dhe reduktimin e korrupsionit në të gjitha proceset administrative. Organizimi i tenderave me konkurrencë të ndershme, dhënia e lejeve pa marrë ryshfet apo para nën dorë, mos-fshehja e kriminelëve nga policia dhe SHISH, mosnxjerrja e sekretit shtetëror janë detyrime ligjore, jo thjesht politika anti-korrupsion. Pra anti-korrupsioni në administratë është thjesht zbatimi i ligjit.

Ama këtë e garanton mbi të gjitha Kryeministri dhe jo SPAK. Koka e pushtetit ekzekutiv dhe e administratës është kryeministri dhe jo SPAK-u. Është detyra e kokës të garantojë që gjymtyrët apo bishtat zbatojnë ligjin dhe nuk janë të zhytur në korrupsion. Përndryshe i bie që peshku qelbet nga bishti.

Prandaj skandalet madhore korruptive në administratën Rama janë përgjegjësi direkte e tij. Ato tregojnë se aty ligji përdoret si letër higjenike. Se nuk funksionon as etika dhe as arkitektura institucionale që garanton zbatimin e ligjit dhe për pasojë parandalimin e korrupsionit.

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet.

Ama kjo është përgjegjësi e Kryeministrit dhe jo e SPAK-ut. Korruptimin dhe injorimin masiv të ligjit në administratën tonë nuk e zgjidh dot SPAK. Ai është një institucion thjesht korrektues dhe penalizues, por jo qeverisës apo shtet-formues.

Ndaj në konferencat e tij për shtyp është e nevojëshme që kryeministri të sqarojë qytetarët se si dhe pse dështuan institucionet e administratës publike për të parandaluar këtë lum skandalesh korruptive. Si është e mundur që asnjë institucion shtetëror apo qeveritar nuk e dinte se Gysi kontrollonte kreun e policisë, të SHISH dhe të AKSHI-it?

Kryeministri të paktën duhet të na thotë masat që ka marrë që skandale të tilla mos të përsëriten më, sepse nuk kemi dëgjuar asgjë të tillë. Përndryshe refreni “korrupsionin e prodhojmë ne por e lufton SPAK-u” do shërbejë thjesht për justifikuar transformimin qeverisjes dhe Administratës Publike në punishte të korrupsionit të nivelit të lartë.  /Lapsi.al

Zjarr Tv Ad