E martë, Tetor 6, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Mbyllen hetimet, dërgohen për gjykim tre persona

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Mbyllen hetimet, dërgohen për gjykim tre persona

0
14

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq për tre vepra penale Elvis Shkambin si dhe xhaxhain i tij, Gjon Shkambi, të akuzuar për vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, Astrit Kalaja.

Sipas Prokurorisë, Elvis Shkambi akuzohet për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në gjyq është dërguar dhe punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja tronditëse ndodhi më 6 tetor 2025, rreth orës 15:38, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Gjyqtari Astrit Kalaja po zhvillonte një seancë gjyqësore që lidhej me kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Në proces, si palë të treta ishin edhe Gjon Shkambi dhe nipi i tij, Elvis Shkambi.

Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari, sipas Prokurorisë, Elvis Shkambi, nxori një armë zjarri pistoletë nga brezi dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit.

Më pas, ai e drejtoi armën edhe ndaj Banush Koxhaj dhe Ervis Kurtaj, të cilët tentuan të largoheshin nga salla. Si pasojë, Ervis Kurtaj mbeti i plagosur në dorën e djathtë, ndërsa Banush Koxhaj pësoi dëmtime në trup.

Pas sulmit, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe doli në oborrin e institucionit, ku u arrestua në flagrancë.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin E.Sh., për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.

Po kështu, në gjyq u dërguan dhe shtetasit Gj.Sh., për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ si dhe B.K., për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.7416, viti 2025 më datë 06.10.2025, nisën pasi rreth orës 15.38, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u njoftua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A.K.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, administrimin dhe këqyrjen paraprake të pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari A.K., u qëllua në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse R.K. ku palë të treta ishin edhe shtetasit Gj.Sh. dhe nipi i tij E.Sh.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K., i pandehuri E.Sh., nxorri nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas ai ia ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët kanë tentuar të largohen nga salla, duke shkaktuar plagosjen e shtetasit E. K. në dorën e djathtë dhe dëmtimin e shtetasit R. K. në trup.

Menjëherë pas këtij veprimi, i pandehuri E.Sh., ia ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku është kapur në flagrancë.

Në përfundim të hetimeve dhe nga provat e administruara rezultoi se i pandehuri E.Sh., e kreu veprën penale në bashkëpunim me të pandehurin Gj.Sh. dhe këta shtetas kanë konsumuar të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen. Shtetasi E.Sh deklaroi se armën e ka pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Nga provat rezulton se ndërmjet tyre dhe familjes së shtetasit E.K., ka pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie.

Për sa i përket të pandehurit B.K., rezulton se ai ka konsumuar në të gjitha elementet e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimet rezultoi se të dy shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., kanë hyrë në gjykatë pa u kontrolluar, dhe njëri prej tyre kishte armë, të cilën e përdori brenda sallës ku për pasojë gjyqtari A.K. humbi jetën dhe dy persona të tjerë u plagosën. Në  këtë rast kemi cenim konkret, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë të interesit juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin.
Shtetasi B.K., qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik. Po në të njëjtin moment, ai nuk kryen regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve dhe kjo provohet edhe nga këqyrja e regjistrit.

Zjarr Tv Ad