E mërkurë, Tetor 7, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Pas dy vitesh merr fund kriza në Kosovë, Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente

Pas dy vitesh merr fund kriza në Kosovë, Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente

0
11

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota të deputetëve, duke i dhënë fund ngërçit politik dhe duke shmangur shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme.

Votimi u zhvillua pas një dite tensionesh, protestash dhe negociatash politike, ndërsa mbi Kuvendin rëndonte edhe afati i 6 tetorit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Procesi u zhvillua paralelisht me debatet dhe presionin publik për miratimin e plotë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Pak para votimit për presidentin, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në këtë ligj me 88 vota pro.

Për postin e presidentes konkurruan Justina Shiroka-Pula dhe Eliza Hoxha. Kandidatura e Shiroka-Pulës u paraqit nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ajo e Hoxhës nga Partia Demokratike e Kosovës.

Gjatë procesit pati edhe një moment afrimi politik, kur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i zgjati dorën kryeministrit Albin Kurti në sallën e Kuvendit. Shtrëngimi i duarve u shoqërua me duartrokitje nga deputetët.

Pas numërimit të votave, Justina Shiroka-Pula u shpall presidente me 81 vota pro.

Rreth 20 minuta pas mesnatës, presidentja e zgjedhur mbërriti në Kuvend, ku u prit me duartrokitje dhe me një buqetë me lule.

Shiroka-Pula u betua më pas para deputetëve, duke marrë zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Para Kuvendit, ajo u zotua se do ta ushtrojë detyrën duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe se do të mbrojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia. Betohem”, deklaroi Shiroka-Pula.

Në fjalimin e saj të parë si presidente, Shiroka-Pula tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitetin, drejtësinë, zhvillimin dhe forcimin e institucioneve.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e gjithë qytetarëve”, deklaroi ajo.

Shiroka-Pula theksoi se Kosova duhet të vazhdojë rrugën si shtet demokratik, me orientim të qartë euroatlantik dhe marrëdhënie të forta me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”, tha presidentja e re.

Shiroka-Pula ishte propozuar nga kryeministri Albin Kurti pasi emrat e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit nuk kishin marrë mbështetjen e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

Ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe ka një karrierë të gjatë akademike dhe politike. Nga viti 2008 deri më 2011 ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka shërbyer si deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhja e saj u bë disa minuta pas përfundimit të datës 6 tetor. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaroi se zgjedhja është në përputhje me Kushtetutën, duke argumentuar se procesi kishte nisur brenda afatit dhe se numërimi e shpallja e rezultatit pas mesnatës nuk përbëjnë problem kushtetues.

Zjarr Tv Ad