Detaje të reja janë mësuar nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar mëngjesin e sotëm në sallën e seancave plenare, para nisjes së seancës.
Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes, kryeministri Edi Rama u ka komunikuar deputetëve se vendimi për hartën e re territoriale është një vendim i grupit parlamentar, duke paralajmëruar se çdo deputet që del kundër këtij vendimi rrezikon të dalë edhe nga grupi parlamentar.
“Kush del nga vendimi i grupit, del nga grupi”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë komunikimit me deputetët socialistë.
Në të njëjtën mbledhje, deputeti socialist Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim lidhur me reformën e re territoriale.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Sinaj ka votuar pro hartës së re territoriale gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.
Sinaj kishte shprehur më herët qëndrim kundër hartës së re, ndërsa votimi i sotëm shënon ndryshimin e pozicionit të tij.






