E premte, Tetor 9, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Komedia me “rebelët” e PS/ Si u shua zhurma për hartën territoriale...

Komedia me “rebelët” e PS/ Si u shua zhurma për hartën territoriale nga Edi Rama

0
13

Me 85 vota në Parlament, Edi Rama miratoi hartën e re territoriale dhe u vuri kyçin 15 bashkive në vend, shumica të drejtuara nga administrata socialiste. 

Votimi i së enjtes tregoi edhe një herë se në ç’mënyra qesharake funksionon mazhoranca, nëpërmjet kërcënimeve, manovrave të brendshme dhe depersonalizimit të deputetëve, që praktikisht janë shndërruar në ca kukulla pa asnjë lidhje me njerëzit që i kanë votuar.

Nga 82 deputetë socialistë, pati 82 vota pro hartës së re territoriale. Asnjë kundër, asnjë abstenim, asnjë mungesë. Socialistëve iu shtuan tre deputetët e PSD-së së Tom Doshit, duke e çuar rezultatin në 85 vota, vetëm një më shumë se minimumi kushtetues prej 84 votash.

Vetëm se ajo që ndodhi këto ditë me hartën territoriale mori trajtat e një komedie. Pak orë përpara votimit, rezultati dukej ende i pasigurt në parlament. Dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kishin kundërshtuar publikisht reformën, ndërsa Belinda Balluku, e sulmuar vazhdimisht nga mediat proqeveritare për çështjen e saj në SPAK, kishte kohë që e shmangte sallën e Kuvendit.

Dy ditë më parë, kur Taulant Balla u kishte kujtuar deputetëve se mund të përjashtoheshin nëse nuk votonin sipas qëndrimit politik të partisë, Braçe kishte shpërthyer në studiot televizive: “Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS”.

Prej javësh, Braçe e kishte refuzuar hartën e re territoriale. Në komisione, në ekranet televizive, madje edhe në sallën e Parlamentit, vetëm pak orë përpara votimit, ai vazhdoi ta mbronte qëndrimin e tij. “Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë”, u shpreh deputeti socialist, duke u kërkuar kolegëve të reflektonin. “Kaq me lehtësi e marrim ne këtë fakt? Ndryshimin e jetës së njerëzve që kanë bërë plane për jetën e tyre…”, vijoi ai.

Fjalimi i Erion Braçes mori duartrokitjet e opozitës, e cila ishte shprehur kundër reformës, duke e konsideruar atë një mënyrë të re të socialistëve për të maksimizuar votën në zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Të njëjtin pozicion kishte mbajtur edhe Vullnet Sinaj. Deputeti i Vlorës kundërshtonte zhdukjen e Bashkisë së Selenicës, një zonë ku ka mbështetje elektorale dhe prej së cilës ka marrë vota. “Selenica, bashki më vete”, shkruante Sinaj në rrjetet sociale, duke këmbëngulur që Kuvendi “të dëgjonte zërin e qytetarëve”.

Në sfondin e “rebelimit” të dy deputetëve ishin llogaritë për 84 vota që duheshin për kalimin e hartës së re territoriale. Rama kishte mbetur me 82 deputetë pas largimit të Marjana Koçekut dhe mund të mbetej me vetëm 81 deputetë nëse Belinda Balluku, e sulmuar fort këto ditë për aferat e korrupsionit refuzonte të paraqitej në kuvend. Kështu, bashkë me 3 deputetët e Tom Doshit, mazhoranca mbetej me 84 vota dhe gjithkush që ndjehej i pavlerësuar kishte shansin të merrte vëmëndjen e Ramës.

Vetëm se për t’i vënë në rresht deputetët që kundërshtonin hartën e re, Ramës nuk iu desh ndonjë përpjekje e mundimshme. Mëngjesin e së enjtes mblodhi grupin parlamentar dhe i paralajmëroi deputetët se kush nuk votonte reformën duhej të largohej.

I pari që u thye ishte Vullnet Sinaj. Edhe në mbledhjen e grupit, edhe në sallën e kuvendit ai deklaroi se do të votonte pro hartës territoriale. “E hëngre turpin me bukë”, i tha Berisha në Parlament, duke hamendësuar për kërcënime ndaj “Big Market”, rrjetit të supermarketeve të lidhur me familjen Sinaj.

Pak më vonë në sallën e kuvendit u shfaq Belinda Balluku. E vënë në shënjestër të Top Channel për dëshmitarët e kërcënuar dhe me SPAK që po e shton presionin e hetimeve, Ballukut nuk i ka mbetur më fije bari për t’u kapur, përveçse kjo e partisë. Ashtu si kolegët e saj, ajo priti deri sa nisi votimi dhe në fund votoi pro hartës së re territoriale. Nga momenti që Balluku u shfaq në sallë, Rama siguroi 84 votat që i duheshin.

Kartoni i Erjon Braçes ishte thjesht një votë më shumë, por që nuk bënte diferencën. Para votimit, të dy bashkë me Ramën u mbyllën në një nga zyrat e Kuvendit për të biseduar.

Çfarë u tha brenda mbeti mes tyre, por rezultati u pa menjëherë jashtë. Kur doli nga zyra, Braçe ishte bindur të votonte. Deputetit që kërkon me ngulm kandidaturën e Tiranës brenda në PS nuk i kishte mbetur shumë në dorë. Shkoi u ul në rresht me të tjerët dhe ngriti kartonin jeshil, sapo iu kërkua.

Rebelimet, nëse mund të quhen të tilla, u shuan sa hap e mbyll sytë. Dikur, lëvizje të tilla do të merrnin vëmendjen e medias dhe ndoshta do të ngjallnin edhe njëfarë respekti në opinionin publik, si shenja se brenda një partie që kishte ende njerëz të gatshëm të mbronin një qëndrim të tyrin. Por mënyra e fshehtë se si u negociua me deputetët, kthesa e beftë thuajse brenda minutash i bindjeve të tyre e ktheu të gjithë situatën në një flakë kashte, që bëri pak tym dhe u fik sapo Rama hyri në dhomë. 

Me gjasë, bllofi i deputetëve nuk kishte asgjë parimore në vetvete dhe shkonte përtej hartës territoriale, tek ambiciet e secilit për zgjedhjet e ardhshme lokale, përkatësisht në Tiranë dhe Vlorë.

Vetëm se për situata të tilla, ka një këshillë që deputetët e Ramës duhet ta sjellin ndërmend dhe të mos bëhen gazi i botës. Është shprehja e njohur popullore që thotë: “O fol e mbaje, o dh.. e haje!”/ Lapsi.al

Zjarr Tv Ad