E mërkurë, Tetor 14, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Kush është Klevi Metaj, studenti që u përball me 6 efektivë të...

Kush është Klevi Metaj, studenti që u përball me 6 efektivë të FNSH dhe u kthye në simbol të protestës?

0
27

Një i ri përballë gjashtë efektivëve të FNSH-së. Një përplasje fizike, gjak në fytyrë dhe më pas pranga në duar. Këto janë pamjet që bënë xhiron e rrjetit dhe e kthyen Klevi Metajn në një nga personazhet më të përfolur të protestës studentore në Tiranë.

Videoja e përplasjes së tij me policinë u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale. Në pamje, 22-vjeçari shihet teksa përleshet me efektivët e FNSH-së, të cilët e rrethojnë dhe përpiqen ta neutralizojnë. Pak më vonë, fotografitë e tij të gjakosur dhe të prangosur shkaktuan reagime të shumta, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si policia ndërhyri ndaj të riut.

Por kush është Klevi Metaj, studenti që u gjend në qendër të kësaj përplasjeje?

Sipas raportimeve, ai është 22 vjeç, me origjinë nga Gjirokastra dhe studion për drejtësi në Tiranë. Nëna e tij, Brikena Metaj, është gazetare në Gjirokastër, ndërsa babai, sipas të njëjtave raportime, punon në Policinë e Shtetit.

Një detaj jo pak interesant ky i fundit, pasi i riu që u përlesh me gjashtë efektivë të FNSH-së është pikërisht djali i një punonjësi policie.

Deri përpara protestës, emri i Klevi Metajt ishte i panjohur për publikun e gjerë. Por pamjet e përplasjes së tij me efektivët mjaftuan që brenda pak orësh ai të kthehej në një nga emrat më të komentuar në rrjet.

Reagimet kanë qenë të shumta. Disa e kanë përgëzuar për guximin e treguar përballë forcave të policisë, ndërsa të tjerë kanë ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e përplasjes. Veçanërisht të forta kanë qenë reagimet pas publikimit të fotografive ku 22-vjeçari shfaqej i gjakosur, me duart e lidhura në pranga.

Dhe ndërsa rrjetet sociale vijojnë komentet për veprimin e 22-vjeçarit, një pyetje mbetet ende pa përgjigje, a ishte e nevojshme ndërhyrja me atë nivel force e gjashtë efektivëve të FNSH-së për të neutralizuar një student 22-vjeçar?

Zjarr Tv Ad