Qytetarët janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit në ditën e pestë radhazi, për të vijuar betejën e tyre kundër qeverisë.
Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të shoqëruara me tensione, përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve në kryeqytet.
Në terren janë pozicionuar forcat e policisë, ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit janë vendosur edhe autobotet, në kuadër të masave të marra për menaxhimin e situatës.
Protestat nisën të martën, fillimisht me bojkotimin e mësimit nga nxënës dhe studentë, por më pas u përshkallëzuan, duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Protestuesit shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në qendër të revoltës janë edhe akuzat për korrupsion dhe kërkesat për ndryshime në arsim.






