Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama është mbyllur pas një ore.
Mbledhja u mbajt në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Gjatë mbledhje u diskutuan masat e paketës anti-dhunë që Rama prezantoi një ditë më parë.
Kjo paketë ligjore ashtu sikurse vetë kryeministri Rama e ka prezantuar më herët do të bëhet mbi bazën e gjashtë instrumenteve, një pjesë e të cilave ka të bëjë me aktet dhe një pjesë tjetër do të vijë me ndryshimet në ligj. Pritet për t’u parë mënyra se si këto ligje do të depozitohen në Kuvend. Nëse do të depozitohen si pjesë e nismave të deputetëve, apo do të depozitohen si pjesë e nismave të qeverisë.
Kujtojmë se më herët është bërë e ditur që paketa ligjore, përfshin një sërë masash kundër dhunuesve të hapësirave publike e private, duke nisur që nga dëmshpërblimi apo mbështetja financiare nga ana e shtetit për bizneset e prekura, po ashtu është parashikuar që dhunuesit duhet të paguajnë financiarisht për dëmet e shkaktuara.
Gjithashtu do të ketë ndërhyrje në ligjin për tubimet, si dhe ndërhyrje në Kodin Penal, që parashikuan masa për personat e maskuar gjatë tubimeve, po ashtu edhe për personat që kanë kryer akte dhunë. Një tjetër masë do të jetë edhe kufizimi i lëvizjes së këtyre personave në vendet e Bashkimit Europian.
Fokusi është vënë edhe tek buxheti i 2027-ës dhe te paketat sociale të prezantuara më herët nga kryeministri Rama. Në fokus ka qenë paketa e strehimit social që përfshin mbështetje edhe për studentët.
Rama ka kërkuar që deputetët në zonat e tyre elektorale, por dhe në takimet me qytetarët t’i prezantojnë pikërisht këto paketa të strehimit social, por edhe masat e paralajmëruara nga ana e qeverisë.
Më tej kryesocialisti u ka kërkuar deputetëve të tij që të mos neglizhojnë “Praninë Besnike” dhe të shtojnë praninë në zona.
Ai iu ka kërkuar gjithashtu që ata të jenë më aktiv dhe të merren me buxhetin e administratën e terrenit.






