Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni.
Vendimi u dha këtë të mërkurë, duke hedhur poshtë kërkesën e saj për një masë më të lehtë sigurie.
Ajo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për dy vepra penale, konkretisht për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Vlora Hyseni dyshohet se ka ndihmuar nga arratia me informacionet sekrete shtetërore biznesmenin Ergys Agasi.
Ky i fundit u arrestua më 26 gusht i dyshuar si kreu një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. Vetë SPAK e thekson se ish-drejtuesja e SHISH ka shërbyer në ndihmë të krimit të organizuar.
Në kuadër të hetimit, janë dhënë masat e sigurisë “arrest me burg” edhe për shefin e laboratorit shkencor të policisë në Tiranë Fatjon Kalluci dhe punonjësin e një biznesi në Durrës.

