Deputeti demokrat, Luçiano Boçi e cilësoi portalin e ri të prezantuar nga kryeministri Edi Rama ditën e sotme, të quajtur “Fol me Kryeministrin”, si një dritare cinizmi dhe jo një dritare dialogu me studentët që po protestojnë.
Në një intervistë për News24, ai theksoi se kryeministri po tenton ta paraqesë protestën studentore si një reagim për problemet akademike dhe ekonomike, dhe jo si një protestë përmes së cilës kërkohet dorëheqja e tij.
Ai theksoi se të rinjtë e refuzojnë dialogun për shkak të veprimeve të kryeministrit, duke nisur nga sjellja e dhunshme policore dhe deri tek aktet normative, përmes së cilave aplikohen gjoba për protestuesit.
“Unë do e konsideroj dritare cinizmi këtë mënyrë që ka zgjedhur Rama të ndërtojë dialog me studentët. Çështja e mungesës së dialogut nuk vjen se ka disa që bullizojnë disa të tjerë, por është çështje mospranimi të dialogut në kohën dhe momentin e duhur. Atëherë kur studentët e kanë kërkuar dhe është refuzuar nga Rama. Refuzimi i dialogut nuk është thjesht deklaratë refuzuese, por janë aktet dhe veprimet konkrete që ka ndërmarrë Rama. Së pari me mënyrën e sjelljes së policisë në protestën studentore, sjellje e dhunshme, joproporcionale. Sikurse Rama ka vazhduar edhe me akte të tjera normative, që penalizojnë dhe kërkojnë të pengojnë dialogun.”, tha ai.
Boçi shtoi se dialogu i studentëve me kryeministrin ka përfunduar në vitin 2018, dhe se kryeministri duhet që të japë dorëheqjen.
“Dialogu ka përfunduar në 2018, Rama kërkon ta transmetojë protestën e studentëve si protestë në raport me kërkesat e tyre akademike dhe ekonomike. Kjo është protestë me kërkesë politike, lidhet me dorëheqjen e kryeministrit. Është kërkesë e qytetarëve shqiptarë. Nëse do dialog, të japë dorëheqjen.”, shtoi ai.

