Ky urdhër i ri është firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke vendosur rregulla të reja për vizitorët e pacientëve në spitale. Konkretisht, vizitat e familjarëve në shërbimet me shtretër do të kryhen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00-13:00 dhe pasdite nga ora 17:00-19:00. Ndërsa vizitat në shërbimin e Reanimacionit spitalor për familjarët e pacientëve të shtruar në Reanimacion do të kryhen dy herë në ditë në orën 11:00-12:00 dhe 18:00-19:00. Këto orare do të jenë të afishuara në çdo hyrje spitali dhe pavione. Sipas Urdhrit të Ministres, spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake ngarkohen për të hartuar rregulloret e brendshme, duke marrë masa për të afishuar në çdo hyrje spitali dhe pavione, në stendat e informacionit dhe këto rregulla duhet të ndiqen dhe respektohen nga familjarët e pacientëve të pranuar në shërbimet spitalore. Përjashtim bën rasti kur mjeku vlerëson praninë e një familjari.




