Policia e Shkodrës arrestoi ditën e djeshme dy shtetasit, Arsen Stojku dhe Mislim Rama, të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali.
Të dy këta shtetas akuzohen si bashkëpunëtor në vrasjen e Ibrahim dhe Astrit Bilali ndërsa mbi ta rëndojnë akuzat “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” ndërsa është shpallur në kërkim edhe shtetasi Ibrahim Lici, i dyshuar si autor kryesor në vrasje dhe shtetasi D.B i dyshuar për “përkrahje të autorit”.
Pas arrestimit, Stojku dhe Rama janë marrë në pyetje por kanë mohuar se kanë lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Bilali.
Prej disa orësh ka vijuar seanca e pyetjeve për detajet e vrasjes, por ata kanë mohuar të gjitha akuzat duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur me 30 mars në Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se Arsen Stojku dhe Mislim Rama kanë lyer me bojë makinën e cila është përdorur në vrasjen e Ibrahim dhe Astrit Bilalit. Pas vrasjes së dy vëllezërve në lagjen Kiras, pak metra më tutje policia gjeti një makinë që po digjej.
Zjarrfikëset bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe makina nuk u dogj në brendësi. Pas akteve të ekspertizës në mjet u gjetën gjurmë sipas prokurorisë të dy shtetasve Arsen Stojku dhe Mislim Rama.
Këta dy shtetas janë të afërm të personit në kërkim Ibrahim Lici ndërsa ky i fundit nga prokuroria dhe policia dyshohet si autori kryesor.
Për Ibrahim Licin, në mjetin e sekuestruar nga policia nuk ka gjurmë të tij por ai dyshohet si autor i vrasjes, kjo edhe nga përgjimet telefonike dhe ambientale që janë bërë pas kësaj ngjarje të ndodhur.




