Alimehmeti zbulon pse PD vendosi të mbështesë Florian Binajn për Tiranën

0
0

Ilir Alimehmeti, drejtuesi i fushatës së PD-së për Bashkinë e Tiranës, në një intervistë në Top News për gazetaren Dafina Hysa, ka zbuluar pse PD nuk doli me një kandidat të PD-së, por zgjodhi të mbështesë kandidatin e pavarur Florian Binaj.

“Ne nuk jemi absolutisht në kushte normale dhe në këto kushte PD për herë të parë mbështet një kandidat jashtë radhëve të saj sepse i tillë është bërë mendimi që ai ka absolutisht shanset më të mëdha për të fituar Bashkinë Tiranë”, theksoi Alimehmeti.

Në fakt nuk kanë munguar edhe në dalje televizive eksponentë të rëndësishëm të PD që janë të mendimit se do duhet të kishit dalë me një kandidat politik për bashkinë më të rëndësishme të vendit, Tiranën. A besoni vërtet se të gjitha strukturat e PD do ta mbështesin Binajn në këtë garë, pavarësisht lidershipit?

Alimehmeti: Është e vërtetë, çdo forcë politike absolutisht ka mendimet e veta, dhe i diskuton ato. Ndryshe ndoshta nga PS ne mendimet tona nuk e kemi problem t’i diskutojmë dhe haptas, edhe këtu në media, në ambiente publike e me radhë. Po në fund fare ka një diskutim përfundimtar dhe një vendimmarrje dhe kjo vendimmarrje pastaj ndiqet dhe shkon deri në fund dhe jemi në një lloj kohe ku gjendemi përballë një situate që s’ka ndodhur më parë që kryetari i bashkisë Tiranë është në burg. 

Dhe në këtë lloj situate dhe kujtoj që jemi pak muaj pas zgjedhjeve të 11 Majit që OSBE-ODIHR i ka quajtur të pabarabarta, që Këshilli i Europës i ka quajtur që duhet të ndahet shteti nga partia që do të thotë që kemi parti-shtet. Pra kemi shumë arbitra ndërkombëtarë që flasin shumë qartë se si ndodhën zgjedhjet te ne. Pra, ne nuk jemi absolutisht në kushte normale dhe në këto kushte PD për herë të parë mbështet një kandidat jashtë radhëve të saj sepse i tillë është bërë mendimi që ai ka absolutisht shanset më të mëdha për të fituar Bashkinë Tiranë.

Strukturat e çdo partie do të dëshironin që kandidatët të dalin prej tyre, është jopartiak Binaj, por nuk mund të themi dot jopolitik, por nuk është pjesë e asnjë partie.

Zjarr Tv Ad