Amendamenti i Partisë Socialiste, për ndryshimet ligjore me qëllim pengimin e pezullimit të ministrave nga detyra është pritur me kritika nga përfaqësuesit europianë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi në një konferencë për mediat këtë të mërkurë se “nuk duhet të preket Reforma në Drejtësi”.
Ai shtoi se presin që të konsultohen për këto nisma për ndryshimet ligjore, sidomos kur bëhet fjalë për reformën në drejtësi.
“Ne i ndjekim nga afër nismat e qeverisë që kanë lidhje me shtetin ligjor, jo vetëm se jemi në merak për harmonizimin e tyre me atë të BE, por edhe që të mos prekin reformën e drejtësisë. Sa i takon prekjes apo ndikimit që kanë në këtë rast nuk do kisha një koment në këtë rast. Presim që të konsultohemi për këto nisma”, tha ambasadori Gonzato.
Ndërkohë diplomati tjetër David McAllister, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET) deklaroi se rasti Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit.
“Nuk jam në pozicion të komentoj raste individuale në detaje, por do të them se çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, u shpreh ai.




