Ish-ministri socialist Arben Malaj, i kërkon kryeministrit Edi Rama që të miratojë plane zhvillimi për zonat rurale, nisur nga rasti i Thethit. AI thotë se kjo situatë është në gjithë Shqipërinë për shkak se prej 35 vitesh mafia qeveritare e tokave u ka shkelur të drejtat pronarëve të vërtetë.
“Z. Kryeministër, keni 20 vite kryetar i partisë politike me vend, dhe jo vetëm që nuk miratoni planet e zhvillimit, por nuk fokusoheni as pak tek zonat rurale, për të lehtësuar çdo ndërtim për banesë dhe biznes.
Nuk duhet ndonjë shkencë e madhe, por ndoshta janë interesat korruptive që pengojnë planet e zhvillimit dhe vrasin përfitimet reale të pronarëve realë.
Paaftësia parandaluese dhe e mirëfilltë nuk mund të mbulohet me aksionet me goditje të përqendruar, për të prishur investimet private, në tokë private dhe aq më tepër kur ndertimet janë provizore”, shkruan Arben Malaj.
Ish-ministri socialist thotë se proceset e vështira dhe me kosto të rënda për ndërtimet private në pronën private duhet të decentralizohen, sepse këto aksione prishje janë provë e qartë e dështimit dhe keqqeverisjes.
“Prishjet nuk janë element force dhe suksesi, por dëshmi e mentaliteteve komuniste, ku përpara viteve ’90, nuk të lejonin të shkoje në punë nëse nuk dorëzoje në ndërmarrje edhe kokën e therur të pulës së vetme në oborrin e shtëpisë, pasi qeveria kushte vendosur tufezimin.
Ndal prishjet, z. Kryeministër! Mirato brenda 30 ditëve planet e zhvillimit për zonat rurale.
Decentralizo proceset e vështira dhe me kosto të rënda për ndërtimet private në pronë private. Miratimi duhet te jete automatik, sic e ka sot cdo vend perendimor.
Në të kundërt, ky aksion që ju mendoni se ju bën krenar, për pronarët dhe taksapaguesit është një provë e qartë e dështimit të tejzgjatur dhe e keq-qeverisjes së shqiptarëve me mentalitetin komunist të partisë-shtet dhe praktikën e qeverisjeve sulltanike “Shteti jam unë”, përmbyll Arben Malaj.




