Gjykata për Krime të Rënda ka lënë sot në fuqi masën “arrest shtëpie” për ish-deputetët e PS-së Arben Ndoka dhe Arben Çuko.
Vendimi është marrë në seancën e sotme, ndërkohë që jashtë sallës në një deklaratë për mediat, ish deputeti Arben Ndoka e ka quajtur të padrejtë vendimin, duke thënë se ai nuk është i përfshirë në asnjë rast për falsifikimin e pronave.
“Ata persona që janë të përfshirë në këtë dosje janë persona që duhet të kishin përfituar nga ligji 7051. Të gjithë personat që kanë emrin në dosje nuk kanë lidhje me mua, as kanë qenë miq të mi dhe as nuk kam asnjë marrëveshje për përfitimin e ndonjë prone. Nuk kam asnjë metër pronë. Nuk jam i përfshirë me asnjë grup apo njerëz që kanë të bëjnë me tjetërsimin apo falsifikimin e pronave. Jam i akuzuar për falsifikim të dokumenteve, ndërkohë që unë nuk kam qenë kurrë drejtues i ndonjë institucioni në Lezhë”, u shpreh Ndoka.
Ndërsa i pyetur nëse ka lidhje me Avdylajt, ai u shpreh se çështjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën dhe nuk duhen përzier, ndërsa shton se do të donte që përgjimet e tij të bëheshin publike në mënyrë që të tregohej e vërteta.
“Unë nuk mendoj që duhet të lidhet çështja e grupit Avdylaj me çështjen e pronave. Unë nuk di të jem i përgjuar. Unë nuk kam asnjë përgjim me asnjë nga personat që janë të akuzuar. Përgjimet e mia dalin nga motra dhe vëllai, unë nuk kam asnjë përgjim në numrat e mia të telefonit. I kam kërkuar nëpërmjet avokatëve, prokurorisë që të më verë në dispozicion përgjimet e telefonit tim, në fakt nuk më është vënë në dispozicion. Mesa duket nuk ka qenë në përgjim telefoni im. Do të doja që përgjimet e mia të bëhen publike dhe të tregojnë realitetin tim, jo atë për të cilën akuzohem”, tha Ndoka.




