Vendimi për të bërë me pagesë hyrjen në Parkun e Karavastasë përplasi ditën e djeshme banorët e Divjakës me policinë.
Ata kundërshtojnë si të padrejtë vendimin e Ministrisë së Mjedisit. Pas përleshjeve, Ministria njoftoi se nga tarifa përjashtohen banorët e zonës.
Gazetarja e Euronews Albania, Sara Demushi raportoi nga Divjaka se protestat do të vijojnë dhe sot. Një tubim qytetarësh është planifikuar të nisë në orën 10:30 të së premtes.
“Banorët do të mblidhen pikërisht në qendër të Divjakës dhe më pas do të nisen drejt parkut, ku në fakt kanë protestuar tashmë prej tre ditësh,” – u shpreh Demushi.
Sipas vendimit vizitorët që hyjnë ne parkun e Divjakës, duhet të paguajnë tarifë. Bileta është kërkuar dhe vendosur nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura me çmim 50 lekë për individët dhe 150 lekë për automjetet.
Ministria thotë se vendosja e sistemit elektronik biletarie ka ardhur si pasojë e fluksit të shtuar të turistëve.




