Gjatë fjalës së tij sot në njësinë numër 4 në Tiranë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se rrugën drejt fitores vendimtare e hapi marrëveshja e 18 majit mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, dhe se kjo fitore është për qytetarët jo për kahet politike.
Basha tha ndër të tjera se Rama dhe Meta nuk mendojnë për qytetarët por mendojnë vetëm të bëjnë spektakël, ndërsa në qendër të vëmendjes duhet të jenë hallet dhe problemet e popullit.
Marrëveshja politike e 18 majit i hap rrugë fitores vendimtare që po ju e keni në dorë në 25 qershor. Prandaj të jeni të qartë që kjo beteje nuk u fitua nga një krah politik kundër një krahu tjetër. Kjo betejë u fitua nga bashkimi i qytetarëve dhe është për ju.
Fushata për zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë më në qendër politikanin, cirkun e politikës, por do të ketë hallin e problemeve tuaja, zgjedhjen e problemeve tuaja.
Ja tek e shohim dy fushata, njëra ka në qendër politikanët e stampës së vjetër, të pazarit të vjetër politik. Rama nga mëngjesi deri në darkë do në qendër të vëmendjes veten e tij. Ai tjetri mori daullen në Kukës, e patë. Ky tjetri kërcen valle, gjithçka vetëm për veten e tyre. Spektakël politik , si Ezeli, 4 vjet telenovelë. Por ndërkohë njerëzit me tavolina bosh, pa punë, me rroga cop-cop, tha kreu i opozitës.



