“Edi Rama vijon parodinë, vendos kë të dojë dhe nuk ka kush ta ndalojë”. Kështu tha kryedemokrati Lulzim Basha duke komentuar ndryshimet në qeveri, të cilat Kryeministri i prezantoi ditën e sotme gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Në një komunikim me mediat nga selia blu, ai tha se ministrat e larguar janë njerëz të korruptuar dhe inkriminuar dhe se largimi i tyre nuk mjafton, pasi ata duhet të dalin para drejtësisë.
Sipas kryedemokratit, me aktin e sotëm Edi Rama tregoi se nuk ka nevojë për ministër dhe se qeveris me oligarkët dhe krimin dhe se me ta ka qeverisur në këto vite dhe me ta do të vazhdojë.
“Ministrat e rinj janë përzierje njerëzish të paaftë dhe disa prej tyre thellësisht të korruptuar. Ndryshimet në qeveri tregojnë degradimin e plotë të PS, të cilën Edi Rama e trajton si plaçkë private, që e përdor për të marrë vendime që i shërbejnë vetëm atij dhe njerëzve me të cilët grabit qeverinë. I degraduar nga veset dhe i paralizuar nga paaftësia totale dhe i krimbur nga paratë që ka vënë, ai po sillet siç sillen njerëzit e degraduar që nuk e njohin fundit”, u shpreh Basha.
Në mbyllje të fjalës së tij, ai deklaroi se “Edi Rama por nuk e fsheh dot që peshku është qelbur nga koka”.



