Benet Beci në gjyq/ Trofeu elektoral i Ramës u fundos nga SMS-të e Vis Berberit

0
0

SPAK ka hapur derën e gjykatës për Benet Becin, kryebashkiakun e Shkodrës që për socialistët ishte një “trofe elektoral” në zgjedhjet lokale të vitit 2023, kur fitoi me 11 mijë vota më shumë në bastionin e demokratëve.

Po të kthehesh pas në kohë, në periudhën e zgjedhjeve lokale, Beci iu shit shkodranëve si një prurje nga Partia Demokratike për hir të së shkuarës së tij, një kandidat që synonte ta zbuste ekstremitetin politik në Shkodër, sipas një strategjie që pretendonte te sillte vota blu në gjirin e Partisë Socialiste. Në arkivat e dy viteve më parë gjen deklarata të Edi Ramës që e vizatonte kandidaturën e Benet Becit si ajo e një intelektuali që kishte bërë zgjedhjet e tij përtej partive politike.

Jo më kot, Rama shprehej atëherë se nuk e vinte dorën në zjarr se për kë kishte votuar Benet Beci në zgjedhje, Partinë Socialiste apo Partinë Demokratike, si për t’u shitur shkodranëve përrallën e profesionistëve apolitikë.

Por nga të dhënat që janë publike nga dosja e SPAK del një realitet tjetër. Më shumë se administratori puntor dhe apolitik, Beci ngjan me pehlivanin e radhës të fondeve publike. Këtu duket se ajo çfarë e hodhi Benet Becin në prehërin e socialistëve ishte një emocion më i fortë se bindjet politike; ishte adrenalina për të bërë para, duke i futur duart në xhepat e shqiptarëve.

Si përfundim, këtë të premte, dosja e kryebashkiakut të Shkodrës kaloi në gjykatë dhe Beci është në listën e të pandehurve për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa objekt i hetimit është tenderi me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”  me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë”.

Benet Beci, si viktimë kolaterale e celularit të Evis Berberit

Mes shumë zullumeve që ka bërë me fondet publike, ish-drejtori i Autoritetit Rrugor të Shqipërisë dhe krahu i djathtë i Belinda Ballukut i ka bërë një nder taksapaguesve shqiptarë, kur ruajti të gjitha mesazhet kompromentuese me profesionistët e tjerë të Rilindjes.

Në planet e tij, Berberi mund të ketë menduar se mesazhet do t’i duheshin në ditë të këqia për të shantazhuar njerëzit me të cilët bashkëpunoi për të vjedhur paratë e buxhetit. Por e ardhmja sjell përherë surpriza.

Berberi jo vetëm nuk e shpëtoi veten, por mori në qafë rrethin e njerëzve me të cilët ishte pasuruar. Ai përfundoi i pari në burg dhe në celularët e tij u gjetën biseda të mjaftueshme për të zbuluar një skemë të gjerë të ndarjes së tenderave të rrugëve, që janë edhe indiciet kryesore të hetimit për arrestimin e Belinda Ballukut.

Ndodhi kështu, që një prej aparateve të sekuestruar në shtëpinë e Vis Berberit ishte përdorur nga bashkëshortja e tij Adela Ruko. Pikërisht tek aparati i saj u zbuluan mesazhet mes Vis Berberi dhe Benet Becit, gjatë kohës që ky i fundit ishte drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Si i bënin pazaret Berberi dhe Beci për tenderin 700 milion lekë të KESH

Biseda zhvillohet në vitin 2020. Adela Ruko ishte atëhere kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe vartëse direkte e Benet Becit.

Tenderi kishte si objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”, një projekt kërkimor me fond limit 69.5 milionë lekë të rinj.

Teorikisht duhet të ishte një studim strategjik. Por në praktikë u shndërrua në një allishverish për t’u fituar nga një kompani e vetme, me 99.8 për qind të fondit limit, në një kohë kur strategjia e sektorit energjetik ekzistonte tashmë, e hartuar nga Ministria e Energjisë me ndihmën e donatorëve të huaj.

Nga telefoni i sekuestruar dolën biseda që nuk lënë vend për keqkuptime. Celulari i Adela Rukos përdorej nga bashkëshorti i saj, Evis Berberi, për të komunikuar drejtpërdrejt me Benet Becin, shefin e institucionit ku gruaja e tij drejtonte komisionin e tenderit.

Një nga mesazhet, i cituar fjalë për fjalë në materialet hetimore, është edhe më domethënësi për mënyrën se si shihej fondi publik: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë” i shkruan Vis Berberi në mesazhe Benet Becit.

Nga kjo llogari del se gati 40 për qind e shumës totale prej 834 mijë eurosh diskutohej hapur si pjesë për t’u ndarë mes atyre që, formalisht, duhet të garantonin ligjshmërinë e procedurës. Sipas SPAK, gjithçka vijoi sipas këtij skenari, nga hartimi i termave të referencës deri te vlerësimi i ofertës së vetme.

Raporti i KLSH: Strategjia e energjisë ekzistonte më parë

Por pazarit që kryenin mes tyre Benet Beci dhe Vis Berberi i shtohet edhe një detaj tjetër. Në vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte ngritur dyshime serioze për këtë procedurë prokurimi. KLSH theksonte se tenderi i zhvilluar në janar 2021 ishte i panevojshëm, pasi strategjia ekzistonte, dhe se dokumenti i përgatitur nga “profesorët e Harvardit” përmbante kryesisht të dhëna të marra nga institucionet shqiptare, të cilat i ishin vënë në dispozicion vetë nga KESH.

Megjithatë, raporti i KLSH ra në vesh të shurdhër. Nuk pati as hetim penal dhe as ndonjë reagim administrativ. Dosja u harrua, derisa një telefon i sekuestruar nxori gjithçka në sipërfaqe.

Ndodhi kështu që imazhi i njeriut që “i mori vota PD-së dhe ia çoi PS-së”, tekniku i qetë dhe administratori i besueshëm degradoi tek rraca më e rëndomtë e rilindjes, që janë zyrtarët që nuk i reziston dot vjedhjes së parave publike dhe për këtë përfundoi sot në gjykatë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 08.01.2026, ka paraqitur kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë.

Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.

Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:

I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

Në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me nenet 1, 2, 20, 24 dhe 46 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe me nenet 28 dhe 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad