Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike dhe ish-kandidati për deputet, Ilir Alimehmeti, lë të hapur mundësinë për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, ndërsa ka përjashtuar në mënyrë kategorike garën për poste të tjera drejtuese brenda partisë.
Në një intervistë në Top News, Alimehmeti u shpreh se nuk do të jetë kandidat as për kryetar të Partisë Demokratike dhe as për postin e Sekretarit të Përgjithshëm.
“Jo për të dyja, as për kryetar dhe as për poste të tjera,” theksoi ai, duke shtuar se në politikë është më shumë njeri i veprimit sesa i deklaratave.
Megjithatë, kur u pyet për një kandidim të mundshëm për Bashkinë e Tiranës, ai nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke theksuar se procesi varet nga mënyra se si do të organizohen garat brenda PD-së.
Alimehmeti bëri të ditur se aktualisht po shqyrtohet statuti i partisë, çka do të përcaktojë nëse do të aplikohet sistemi i primareve apo një formë tjetër përzgjedhjeje të kandidatëve.
“Për Tiranën duhet një vendim shumë politik dhe nuk do të jetë e thjeshtë”, u shpreh ai, duke nënvizuar se objektivi i tij ka qenë gjithmonë i njëjtë dhe mbetet i pandryshuar.




