Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit. Pas darkës familjare, besimtarët katolikë me qirinj në duar i janë drejtuar Katedrales së “Shën Palit”, ku kanë pritur mes lutjesh mbërritjen e mesnatës që shënon 25-dhjetorin e shenjtë për ta, lindjen e Birit të Zotit. Besimtarët shkëmbyen urime për më shumë paqe, lumturi dhe harmoni.
Mesha u drejtua nga Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.
“Me mishërimin e birit të vet zhduku errësirat e botës dhe lindjen e tij të lume e shëndërriti këtë natë.Ai zhduktë prej jush errësisrat e veseve dhe ndriçoftë zemrat tuaja me dritën e virtyteve.Hyji ju mbushtë dhe ju me gëzimin e vet dhe ju bëftë lajmëtarë të ungjillit të vet.Ju pajistë me dhuratën e paqes së vet dhe të vullnetit të mirë.Gëzuar Krishtlindjet!,” u shpreh ai.
Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë po zhvillohet mesha për besimtarët, dhe po drejtohet nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.
HISTORIA E KRISHTLINDJEVE
Ashtu sikurse shumë elementë të tjerë mitologjikë, të pranuar për të stolisur e pasuruar Krishtërimin bashkëkohor, ndër të cilët arkeologët, historianët dhe teologët përmendin veçanërisht mitet mitraiste, zoroastriane, egjiptiane dhe babilonase, edhe festimet e Krishtlindjeve i kanë rrënjët, siç sqaron “The World Book Encyclopedia”, në festimet e lashta të festës së Saturnit, apo “Saturnaleve”, nga ana e romakëve parakristianë.




