Rudina Hajdari, anëtare e Partisë Demokratike, ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për primaret dhe çështjen në gjykatë të kësaj force politike. Sipas saj, primaret janë risi për të fuqizuar bazën e PD, anëtarët dhe simpatizantët.
E pyetur për përballjen në Gjykatë, kur Apeli ka në shqyrtim vulën e partisë më të madhe opozitare, Rudina Hajdari tha se vendimet e togave të zeza respektohen, por për lidershipin e një partie politike vendos vullneti i anëtarëve të saj.
Rudina Hajdari: Dëshira ime ishte që të fuqizonim qytetarin duke zgjedhur kandidatin që dëshironim. Primaret janë për të fuqizuar PD. Edhe ata që ne po bashkëpunojmë, se kur flasim për deputetët e PD, nuk kemi ndasi për primaret se ato janë risi për të fuqizuar anëtarët dhe simpatizantët, që duan të bëhen pjesë.
Unë mendoj që ka për të qenë një proces që do të bëjë diferencën e madhe, për të treguar se kandidatët në PD zgjidhen nga anëtarësia dhe simpatizantët, jo nga Kryesia.
Çështja në Gjykatën e Apelit?
Rudina Hajdari: Për momentin ka një vendim gjykate, nga Shkalla e Parë. Mendoj që partitë në tërësi vendosen nga vullneti i anëtarëve dhe janë forca që organizojnë strukturat e tyre, ndaj s’mund të merren vendime për to në Gjykata. Nëse do ndryshohej vendimi i Shkallës së Parë, do kishte një anomali juridike.
Ne duhet të njohim vendimet e gjykatave, por një parti politike varet nga vullneti i anëtarëve të saj.
Hapja e PD?
Rudina Hajdari: Ne hoqëm një lidership që pati pasoja shumë të rënda për PD. Dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet dhe e nxori partinë komplet nga sistemi. Sot kemi një lidership të ri të zgjedhur nga anëtarësia, dhe unë kurrë nuk mund ta vë në pikëpyetje. PD i duhet një lidership i fortë përballë Edi Ramës, jo një person.




