Nga Gëzim Zilja
Ç’janë këto fletë e zarfa derë më derë o Edvin Beu, alias kryeministri ynë? Po pyet popullit tonë të telendisur e varfëruar, për punëra të qeverisë, kur ky pret ta mëshirojë shitësi i lagjes e t’i japë bukë veresie për fëmijët? Je bërë si Fidel Kastrua qëmoti Edvin Bej, me ato fjalimet “korr e mos lidh”. Tetë vjet në timon na ktheve te përsheshi me dhallë sa trahanaja na duket luks. Nuk e patëm kështu kur more bejllëkun. Tani do mendjen e fukarasë, me demek do qeverisësh me popullin, që është ca sylesh me thënë të drejtën, po jo aq sa mendon ti.
Meqënëse jemi te “këshillimi popullor” bej efendi, pse nuk u këshillove për Portin e Durrësit, që po ua jep falas Alabbar-ëve dhe Emaar-ëve? Ka plot ekspertë në Shqipëri, që i dinë këto punë dhe u dhimbset Shqipëria, po ti je bërë jo bej e kryebej, por edhe inxhinier, arkitekt, historian, albanolog, urbanist, ambientalist, doktor, profesor, bufetier, kamarier, infermier, financier, portier e refer. Me një fjalë e ke kthyer qeverinë në kotec pulash, ku këndon zotrote, si kaposhi i Përrallës së Plakës, që pillte vetëm flori.
Ju po projektoni shndërrimin e Portit të Durrësit në një lloj Dubai të Evropës dhe ndërtimin e portit të mallrave në Porto Romano. Zhurma e demagogjia bëhet për kullat në portin e Durrësit, në qindra hektarë tokë të dhënë falas. Gjithë të tjerat janë në ajër ose në kokat e sëmura të qeverisë o Beu ynë sepse:
- Qeveria para së të japë leje për të shpërbërë Portin e Durrësit, duhet të marrë mendim nga agjencitë e specializuara: Kapiteneria e Portit, Agjencia Portuale Durrës, Universiteti dhe Akademia e Detit, përfaqësitë studimore, që merren me ndërtimin e porteve, përfaqësuesit e Bashkisë, Prefekturës, komunitetit të Durrësit, grupet e interesit në tërësi etj. Ky është ligj kushtetues. Pas kësaj mund të vazhdohet puna e qeverisë për dhënie lejeje, që Porti i Durrësit të kthehet në Dubai, e të ndërtohet një tjetër mallrash në Porto Romano. Një rast i tillë po ndodh në Kroaci, ku porti ekzistues po kthehet në port turistik. Në Rijeka, kompania vëndase ACI-Gitone në bashkëpunim me kompaninë gjermane LÜRSEN po përfundojnë dokumentacionin për ndërtimin e marinës në porto Baros në Rijeka dhe porti i konteinerëve po ndërtohet në Jug të portit ekzistues, në një thellësi uji prej 30m. Ky vendim është shoqëruar me konsultime publike me grupet e interesit, operatorët portualë, stivadorët, agjencitë detare dhe spedicionere, pilotët dhe shërbimet ndihmëse, si dhe me botën akademike. Në ndërtimin e portit turistik të Rijekës nuk janë planifikuar ndërtime banesash dhe kullash si në Durrës. Kostoja e parashikuar e ndërtimit do të jetë 54,5 milion USD dhe do të jetë një koncension 30 vjeçar. Këto të dhëna mund t’i gjejë kushdo në internet.
- Përse porti i jahteve dhe kullat o Beu ynë nuk ndërtohen në Porto Romano, duke e kthyer atë copë tokë në Dubain durrsak? Nëse Alabbari ktheu shkretëtirën, ku piqet kulaçi në diell, në një parajsë, çfarë e pengon atë, që një vend mesdhetar dhe të bekuar si Porto Romano, ta kthejë në parajsë? Përse ai kërkon me çdo kusht Portin e Durrësit, e ky pas tre mijë vjetësh të ngrejë leckat në krah e t’ia mbathë 6,5 km larg, në Porto Romano?
- Pse nuk bëhet me tender ky investim gjigand por i jepet të parit, që ofron projektin, preventin dhe paratë? Kjo është shkelje e ligjit shqiptar për tenderat. Le të bëjmë një llogari. Sipërfaqja e truallit të portit 80ha e llogaritur me 2000 euro/m2, sipas vlerës së tregut, arrin 1.6 deri në 1.8 miliard euro. Gjatësia e kalatës së portit është 2.200 metra dhe vlera e tij si port, së bashku me akuariumin 67ha dhe investimet e kryera aty, llogaritet rreth 1.3 miliardë euro. Porto Romano sipas projektit kushton 500 milionë euro dhe është investim i qeverisë shqiptare. Arabët do të investojnë 2 miliardë euro, pothuaj aq sa ia dhuron qeveria me truallin falas. Për të ndërtuar portin e ri shqiptarët do të shpenzojnë. (1.8+1,3 +0,5) = 3.6 miliardë euro. Shkurt edhe një idiot e kupton se çfarë po ndodh. Përgjigju bej efendi se populli është i zemëruar dhe do të dijë se ç’bëhet me pronat e tij!
- Portet nuk ndërtohen me kërkesën e sheikëve dhe palaçove të qeverisë që shkojnë në Dubai e sillen si zorraxhinj te Nustreti, por nga kërkesat e tregut, leverdia ekonomike dhe pozita gjeografike. Zhvillimet e sotme në transport dhe në logjistikë kushtëzojnë ndërtimin e anijeve, rrjedhimisht dhe të porteve. Tendenca e ndërtimit të porteve është të presë anijet e dhjetëvjeçarëve të fundit përfshirë dhe kontejnerët. Në Selanik ka një port modern, që është në gjendje të presë edhe anijet e kontejnerëve të tonazheve të mëdha. Në Rijeka po ndërtohet porti i kontejnerëve me një thellësi tridhjetë metra. Thellësia maksimale e Portit të Durrësit është 11.5m kurse në Porto Romano për arsye gjeografike dhe teknike nuk mund të kalohet thellësia 7.5 metra dhe gjatësia e kalatave nuk mund të kalojë 200m.
Ekspertët thonë se në Porto Romano nuk mund të ndërtohet dot një “deep port” (port i thellë) ku të ankorohen anijet kontejnere të tonazheve të larta. Atëherë si do të bëhet “Porti më i madh në Ballkan dhe një shëmbull në Mesdhe mbi transportin modern detar në Porto Romano” sipas cicërimave të ministres Balluku? Pyetja që shtrojnë specialistët është: nëse ka një “deep port” në Selanik, po ndërtohet një “deep port” në Rijeka, i aftë për të pritur anijet e gjeneratës së fundit të konteinerëve, atëhere kujt do t’i shërbente ky port me thellësi 7.5 metra?
Si ta quajmë këtë: padituri, babëzi apo tradhëti kombëtare? Veç kësaj një port nuk mund të imagjinohet pa lidhje me autostradë dhe hekurudhë të paktën me vendet e rajonit. Kur do t’i bësh, e me çfarë parash të gjitha këto o beu ynë? Nëse plani i qeverisë vihet në zbatim, asnjë anije kontejnerësh e dhjetëvjeçarëve të fundit nuk mund të ankorohet në Porto Romano. Biznesmenëve tanë dhe vëllezërve kosovarë do t’u duhet të shkojnë në Selanik apo Rijeka dhe atëherë asgjë nuk mund të korrigjohet. Për aq kohë, thonë ekspertët, (jo gomerët) që Shqipëria nuk është në gjendje të ketë një “deep port”, Porti i Durresit mbetet e vetmja mundësi, që mos të pengohet lëvizja e panderprerë e mallrave. Dështimi i projekteve të tilla e çon në falimentim një shtet të vogël e me arkat bosh si Shqipëria. Kjo mund të ndodhë.




