Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar i revoltuar pas vendimit të gjykatës në Tiranë, e cila e dënoi këngëtarin Bojken Lako me 3 vite burg për kryerjen pa leje të disa punimeve në studion e tij muzikkore.
“E paskan kapur kriminelin”, shkruan Paloka duke ironizuar se kolelgu “artist” i Bojken Lakos, ka “grabitur me firmën e Ramës qindramijë metra katrorë toka në bregdet si “investitore strategjikë”.
Paloka shënjestron kryeministrin Rama, teksa thotë se dënimi i Bojken Lakos ka dhe një aspekt njerëzor: “Rama hiqej sikur Bujar Lakon e kishte mik. Këtë përshtypje u përpoq të linte me statusin e tij kur Bujari u nda nga kjo jetë…”, shkruan ai.
Dënimi me 3 vite burg i kengetarit, u konvertua në shërbim prove.
Postimi i plotë i Palokës:
Pafytyrësia e Ramës nuk njeh limite…!
E paskan kapur “kriminelin”!
Do çohen këta njohësit e themeleve të shtetit e do bërtasin: “Çfare lidhje ka Rama këtu, drejtësia është e pavarur!”
Do bërtasin “parimorët” e rilindjes: “Pse nuk duhet dënuar Bojken Lako, drejtësia është e barabartë për të gjithë…!”
Po ashtu duhet të jetë. Po ndërkohë ne shohim se si vazhdojnë paguhen miliona euro për bashkëpuntorët në kërkim të qeveritarëve përfshirë në skandalin e inceneratorëve.
Ndërkohë ne shohim se si kolegët e Bojkenit, “artistët” e “rilindjes” grabisin me firmën e Ramës qindramijë metra katrorë toka në bregdet si “investitore strategjikë”!
Shohim se si bën Rama pazare dhe i jep imunitet para drejtësisë llumit të këtij vendi që bashkëpunojnë me të.
Po ka dhe një aspekt njerëzor në këtë rast.
Rama hiqej sikur Bujar Lakon e kishte mik. Këtë përshtypje u përpoq të linte me statusin e tij kur Bujari u nda nga kjo jetë… Në fakt Rama nuk ka lidhje fare me marrdheniët njerëzore jashtë interesave të tij…




