Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku, ka kritikuar opozitën në studion e “News 24” duke thënë se në këtë gjendje që ndodhet nuk mund të fitojnë kurrë përballë Edi Ramës.
Çollaku foli edhe për aksionin e shumëpërfolur opozitar të shtatorit kur pritet të nisë legjislatura e re e Kuvendit e dalë nga zgjedhjet e 11 Majit.
Deputeti u shpreh se PD ka nevojë për reformim të thellë ndërsa qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për ta.
“Ka një konsensus të gjerë, jo vetëm mes drejtuesve dhe deputetëve, por edhe mes militantëve e simpatizantëve, se në këtë gjendje PD nuk mund të fitojë më. Ne kemi nevojë për një reformim të thellë të opozitës në tërësi.
Sa herë që PD ka përjashtuar ata me mendim ndryshe, ka humbur thellë. ADN-ja e PD-së është hapja, përfshirja dhe liria për të kritikuar, madje edhe liderin. Sëmundja që po e gërryen sot është kthimi në një model të Partisë së Punës, gjë që është mohim i vetvetes.
Djegia e mandateve nuk ka më asnjë efekt. Seanca mbyllet dhe Edi Rama miraton ligje për 3 minuta. Bllokimi i mandateve, deri në krijimin e një qeverie teknike, mund të jetë një rrugë që ia vlen të shqyrtohet. PD duhet të konsolidojë kontaktin me qytetarët dhe të dalë nga “flluska e realiteteve virtuale”, deklaroi Çollaku.




