Lidhur me publikimin e disa lajmeve ku pretendohet se kryebashkiaku i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, ka blerë një automjet luksoz me vlerë 83 milionë lekë për përdorim personal, sqarojmë se ky informacion është i pasaktë dhe dezinformues.
Dokumentacioni zyrtar i procedurës së prokurimit tregon qartë se nuk bëhet fjalë për blerjen e një automjeti të vetëm për kryebashkiakun, por për furnizimin e Bashkisë Selenicë me 5 mjete në total: 1 kamionçinë dhe 4 automjete tip foristradë, të destinuara për nevoja institucionale dhe shërbime të bashkisë.
Për më tepër, vlera e përmendur në lajm i referohet procedurës së përgjithshme të furnizimit dhe jo një automjeti individual në përdorim personal të kryebashkiakut. Keqinterpretimi i dokumenteve zyrtare dhe paraqitja e tyre në mënyrë të shtrembëruar cenon informimin korrekt të publikut dhe dëmton imazhin institucional.
Ftojmë median të respektojë standardet profesionale të verifikimit të informacionit përpara publikimit të lajmeve të tilla.”
Redaktoi: Greta Hoxha





