Drejtori i Mjedisit në IKMT, Klesti Çela është shpallur në kërkim pasi dhunoi në zyrë me qytën e pistoletës Fatmir Metën, drejtorin e Ekzekutimit të Vendimeve në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Sipas policisë, Çela akuzohet se së bashku me tre persona të tjerë të paidentifikuar kanë goditur Fatmir Metën në institucion.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasin Klesti Çela, pasi dyshohet se dje, së bashku me 3 shtetas ende të paidentifikuar, ka goditur për shkak të detyrës shtetasin Meta, drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve të IKMT-së, në ambientet e këtij institucioni. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”, njofton policia.
Burimet bënë me dije se përplasja brenda institucionit kishte të bënte me konflikt që lidhet me një grup inspektimi për çështjen e depozitimit të dherave. Debati fillestar ka nisur verbalisht mes Metës dhe Çelës dhe një ditë më pas, situata ka degraduar në dhunë fizike me qytën e pistoletës.
Pas incidentit të rëndë, Kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro, ka liruar nga detyra Klesti Çelën.




