Do të kandidojë për Tiranën, Florjan Binaj largohet nga emisioni “Piranjat”

0
18

Florjan Binaj është larguar nga moderimi i emisionit “Piranjat”, pasi shpalljes së kandidaturës për të garuar si kandidat i pavarur për zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Tiranës.

Këtë gjë e ka bërë me dije vetë Binaj, në nisje të emisionit të djeshëm. Gjatë fjalës së tij, aktori theksoi se ndryshimi vjen duke bërë një hap, ku ai e bëri hapin e tij, dhe tani pret që ta bëjnë dhe të tjerët.

“Sot është momenti im më i vështirë në këtë skenë. Sepse sot, duhet të ndahem me Piranjat. Po ndahem me nostalgji nga një punë dhe një program që e dua shumë dhe që e ndjej pjesë të trupit tim. Por po ndahem për diçka më të madhe.

Kanë qenë 3 vjet që më kanë rritur shumë si artist dhe si njeri. Për 3 vjet, në këtë familjen tonë të vogël, kemi denoncuar jo vetëm korrupsionin dhe abuzimin, por kemi ekspozuar edhe brishtësinë e shoqërisë shqiptare, plot me plagë shoqërore, morale dhe emocionale.

Për mua, humori nuk ka qenë thjesht argëtim, por një ilaç që zbut dëshpërimin dhe dhimbjen e njerëzve. E kam përdorur humorin edhe si mjet për të hapur sytë ndaj së keqes që na rrethon dhe për ta vënë pushtetin para përgjegjësisë.

Këto vite kam prekur gjithë Shqipërinë dhe jam takuar me mijëra njerëz, me halle të mëdha e të vogla. Kam dëgjuar prej tyre që duhet ndryshim, që diçka duhet të ndryshojë. Por kam kuptuar që janë të humbur, dhe shumica nuk e dinë, nuk e kuptojnë si bëhet ndryshimi.

Puna është: si ndodh ndryshimi? Unë e kam menduar gjatë: si bëhet ndryshimi? Si vjen ndryshimi? Duke hedhur një hap. Ndryshimi vjen vetëm kur dikush bën një hap. A flasim për ndryshim? A themi: “Kush do ta ndryshojë këtë vend?”

Unë e bëra hapin tim. Pas meje, një tjetër. Dhe një tjetër. Dhe një tjetër. Le të bëhemi 2, 3, 10, 100, 1 mijë, 100 mijë… Derisa të gjithë të bëjmë një hap për ndryshimin”, tha Florjan Binaj.

Zjarr Tv Ad