Është shtyrë për më 23 tetor seanca, ku mbrojtja e grupit “Shullazi” do të paraqesë konkluzionet në Gjykatën për Krime të Rënda. Vendimi për shtyrjen u mor paraditen e sotme. Nga sab ëhet e ditur, shtyrja e seancës ka ardhur pasi avokatët kërkojnë kohë për të përgatitur konkluzionet.
Ndërkaq, të martën e kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli pretencën. Për Emiljano Shullazin, i cili është cilësuar si kreu i grupit të strukturuar kriminal, prokuroria kërkon 17 vjet burg, 10 vjet për Blerim Shullazin, 15 vjet burg për Gilmando Danin dhe nga 11 vjet burg për Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën.
Prokurorë të çështjes ishin drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gent Osmani.
Të akuzuarit kërkuan që të përfaqësohen nga avokatët e tyre në seancë, pa marrë vetë pjesë atje. Seanca u shoqërua me debate mes mbrojtjes dhe akuzës për leximin e pretencës ndaj të pandehurve. Ashtu sikurse edhe herën e mëparshme, seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, me forca të shtuara policore, brenda dhe jashtë sallës.



