Drejt fundit afati për përmbylljen e garës, kush janë prokurorët që kandidojnë për të marrë ‘stafetën’ e Arben Krajës në krye të SPAK

0
57

Ndërsa po përmbyllen afate për garën e kreut të ri të Prokurorisë Speciale, një tjetër emër nga radhët e prokurorëve ka shprehur interesin për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Prokurori Altin Dumani është bërë magjistrati i tretë, i cili ka depozituar kandidaturën për t’u bërë kryetari i SPAK-ut. Ky është prokurori i tretë që shpreh interesin për të drejtuar Prokurorinë Speciale pas prokurorëve Edvin Kondili dhe Adnan Xholi. Kondili depozitoi po dje kërkesën për të garuar për në krye të SPAK-ut.

Afati i fundit për të aplikuar në këtë post që drejtohet aktualisht nga Arben Kraja është 2 nëntori, deri në orën 00:00. Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës. Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zëvendësdrejtuesit deri në vitin 2007.

Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zëvendësdrejtuesit në Sektorin e Krimit Ekonomik. Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 u komandua si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie edhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ai njihet si prokurori “i pakompromis”. Altin Dumani u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas tij ishte refuzuar nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Edvin Kondili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004. Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe punoi që prej vitit 2004 deri në vitin 2019 pranë Prokurorisë për Krimeve të Rënda dhe aktualisht është prokuror i SPAK-ut.

Zjarr Tv Ad