Mes njerëzve të afërt të Edi Ramës që po bëhen kurban në dosjet e korrupsionit, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku janë dy ndër figurat më të larta politike që janë cënuar nga Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. I pari, kryebashkiaku i Tiranës, u arrestua në zyrë më 10 shkurt të këtij viti. Prej dhjetë muajsh qëndron në paraburgim dhe pret të përballet me prokurorët e SPAK, që i kanë ngarkuar 13 akuza. E dyta, zv.kryeministrja dhe ministrja e energjisë, nuk është në pranga, por ka një pasaportë të sekuestruar, një pezullim nga detyra dhe një hetim që zgjerohet çdo ditë. Duke bërë një krahasim për mënyrën se si reagoi Edi Rama për njërin dhe për tjetrën, Lapsi.al ka vënë re një dallim themelor, që vë në dyshim shqetësimin e Ramës për parimin e ndarjes së pushteteve dhe tregon se arsyet e fushatës së tij për Ballukun janë thjesht për vetëmbrojtje personale.
Refuzimi i Ramës për të krijuar krizën “Veliaj”
Pas arrestimit të Veliajt në zyrë, reagimi i parë i Ramës ishte emocional. Ai u shfaq i inatosur në një shpërthim nervash live në rrjetet sociale, teksa godiste tryezën e punës në transmetimet e mëngjesit. Më vonë, kryeministri e konsideroi hetimin e Veliajt “jashtë shinave kushtetuese” dhe ndalimin që iu bë kryebashkiakut në zyrë “në shkelje të standardeve demokratike”. Në një nga frazat e tij më të cituara, Rama vuri në dukje se “gjykatësi i hoqi kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranës duke e lënë pa drejtim një kryqytet me 1 mijë e 1 punë në ditë”. Pra, retorika ishte e ashpër, dramatike, e mbushur me pakënaqësi për drejtësinë e re.
Por ndryshe nga sa propagandonte në rrjetet sociale, aktet e Ramës shkuan në drejtim të kundërt. Sapo Veliaj u izolua në qeli, kryeministri nisi të çmontojë çdo tentativë të kryebashkiakut për një kryqëzatë kundër SPAK-ut si përgjigje për arrestimin e tij.
Rama mblodhi rrogëtarët e bashkisë në sheshin Skëndërbej, për t’ua bërë të qartë se lëvizja “Veliaj” kishte marrë fund dhe se “skuadrën e bashkisë” do ta drejtonte vetë. Protestat para SPAK mbylleshin aty për aty. Mesazhi ishte i qartë dhe i thjeshtë: “Kemi ende ca punë për të bërë, kemi projekte për të realizuar, kemi beteja për të fituar sepse ndërkohë qyteti bëhet më i madh, bëhet më kërkues, bëhet më i paduruar”. Që nga ai moment, punonjësit e bashkisë morën frymë të lehtësuar dhe u kthyen në zyrat e tyre.
Më pas, erdhën spastrimet e kupolës së bashkisë. Këtu ndodhi një ndërhyrje e vrazhdë e Ramës në bashki, një veprim që tregon se shqetësimi i tij sot për ndarjen e pushteteve është një hipokrizi. Pasi Rama largoi nga detyra njerëzit e Veliajt në bashki, ai refuzoi emërimin e Sara Goxhajt si nënkryetare, megjithëse emërimi i saj ishte firmosur nga Erion Veliaj, nga qelia e paraburgimit në Durrës. Pasi ia kishte uzurpuar postin në bashki, Rama urdhëroi që shkresa e firmosur nga Veliaj të bëhej e pavlefshme. Të nesërmen Veliaj kërkoi falje dhe bashkia kaloi në menaxhimin e qeverisë.
Në të njëjtën kohë, u përfol edhe për një plan që Veliaj kishte përgatitur, në rast se do arrestohej: braktisjen e punëve të bashkisë, lënien e plehrave në rrugë dhe bllokimin e shërbimeve të bashkisë derisa gjendja të bëhej e padurueshme për qytetarët dhe presioni ndaj SPAK të rritej. Nën zë u tha se pikërisht për të shmangur këtë skenar shantazhi përmes plehrave dhe kaosit, Rama vendosi të ndërhyjë vetë në administratën lokale dhe të marrë në dorë bashkinë e Tiranës, pa e vrarë shumë mendjen për parimin e ndarjes së pushteteve.
Disa muaj më pas, në shtator, u njoftua zëvendësimi i Veliajt në Asamblenë e PS, me një justifikim shumë të thjeshtë: “Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta për ditë e për natë”. Brenda dy javësh, Këshilli Bashkiak e shkarkoi kryebashkiakun, dhe me miratimin e kryeministrit dhe të presidentit, u shpallën zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, të cilat më pas u ndalën nga Gjykata Kushtetuese.
Por ajo që mbetet është fakti se, Rama nxitoi të mos e mbajë peng qytetin për llogari të një njeriu që kishte probleme me korrupsionin dhe pasurinë. Ai vendosi ta “presë kokën” e Veliajt nga bashkia për të mos shmangur bllokimin e punëve.
Përpjekjet e Ramës për të krijuar krizën “Balluku” në qeveri
Në rastin “Balluku”, logjika politike e Ramës përmbyset krejtësisht. Në avokaturën që i bën Belinda Ballukut, kali i betejës nuk është më drejtësia foshnjarake që bën “gabime”, por “parimi i ndarjes së pushteteve” dhe rreziku i një “precedenti unik dhe kërcënues”.
Kryeministri e banalizon vendimin e gjykatës, nuk shfaq asnjë shqetësim real për korrupsionin në qeverinë e tij, por flet gjatë për “një prokuror dhe një gjykatës që kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të ekzekutivit, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit”.
Ndryshe nga qëndrimi për Veliajn, ku Rama mori vendime të qarta për të mos krijuar një krizë në rrugët e Tiranës me protesta apo me bllokimin e shërbimeve, në rastin e Belinda Ballukut gjuha e kundërshtimit zyrtar u shoqërua me akte të vetëdijshme kundër vendimit të GJKKO. Këshilli i Ministrave ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e gjykatësit Erion Çela dhe Rama refuzoi zëvendësimin e Ballukut në kabinet deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Nga ai moment, ai pranon se ministria e energjisë nuk funksionon më, si pjesë e një strategjie presioni ndaj gjykatës.
Pasojat konkrete të mungesës së Belinda Ballukut në detyrë, Rama i përshkruan me një ton dramatik. Kryeministri numëron publikisht kostot, duke thënë se “aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë… ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin”. Për t’i dhënë më shumë peshë argumentit, ai solli një marrëveshje të mbetur pezull me Kanadanë, duke paralajmëruar se pezullimi “vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026”.
Rama ka pranuar se nuk do ta zëvëndësojë Ballukun, në mënyrë që dëmi institucional të përdoret si argument në gjykatë. Këtë të dielë, e përforcoi idenë e tij me shembullin e dy drejtorëve të ARRSH dhe drejtorin e KESH. Të dy në arrest shtëpie për aferën korruptive të tunelit të Llogarasë, çka sipas Ramës ka sjellë si pasojë “që lihet pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin”. Ai e mbylli argumentin me arsyetimin se ky boshllëk nuk mund të plotësohet, sepse “ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit, të drejtën e këtyre emërtesave”. Me fjalë të tjera, kryeministri refuzon t’i japë zgjidhje një bllokade të qëllimshme të funksionimit normal të shtetit, derisa Gjykata Kushtetuese të flasë.
Arsyet, pse Rama po luan gjithçka për Belinda Ballukun
Strategjia e Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun nëpërmjet një krize institucionale dhe moslejimi i kësaj krize për Erion Veliajn nuk është rastësi. Shpjegimi është në pozicionin e Ramës në secilën prej dosjeve.
Në dosjen e akuzës për Erion Veliajn, Rama nuk ka asnjë lidhje. Ajo është një dosje që ka në qendër pasurinë e Erion Veliajt, shpenzimet marramendëse të bashkëshortes së tij për veshje dhe marrëdhëniet e kompanive të saj me disa ndërtues. Jo më kot, Rama u mjaftua me disa deklarata publike, që u harruan pas disa javësh, dhe bëri atë që pritej nga një lider politik: e zëvendësoi Veliajn disa muaj pas arrestimit.
Në dosjen Balluku, situata është krejt tjetër. Ekzistojnë foto publike që provojnë se, në intervalin mes tenderit të parë për tunelin e Llogarasë dhe tenderit të dytë me 50 milion euro më tepër, Rama dhe Balluku udhëtuan drejt Ankarasë për t’u takuar me turqit që do të shpalleshin fitues.
Duke qenë vartëse e kryeministrit, Balluku ka pasur një rol dytësor në marrëveshjen që çoi shkeljen e barazisë së tenderave dhe, si e tillë, ajo rrezikon të implikojë Ramën në procesin gjyqësor. Për më tepër, vendimi për pezullimin e Ballukut nga detyra është një rrezik për një vendim të ngjashëm nesër drejtpërdrejt për kryeministrin në detyrë. Prandaj ky i fundit ka nxituar të krijojë një krizë qeveritare si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Dallimi në sjelljet e Edi Ramës, në rastin e Erion Veliaj dhe në rastin e Belinda Ballukut, tregon se arsyeja e vërtetë e krizës qeveritare nuk është “parimi i ndarjes së pushteteve”, por garancia që i duhet Ramës se SPAK dhe GJKKO do të vazhdojnë të respektojnë paktin e krijimit të tyre, se paprekshmëria me drejtësinë e re, ka një emër, quhet Edi Rama./Lapsi.al




