Fusnin veshje dhe atlete kontrabandë, arrestohet doganieri në Kapshticë dhe tre persona të tjerë

0
24

Një tjetër rast i kontrabandës me mallra është evidentuar në Pikën Kufitare të Kapshticës.

Në pranga kanë përfunduar 3 shtetas, njëri prej të cilëve doganier në këtë pikë doganore.

Si pasojë e aksionit të policisë në fshatin Dishncë, në kamionin që vinte nga Greqia janë sekuestruar një sasi mallrash të dyshuara kontrabandë, të cilat ishin kryesisht veshje, atlete dhe pajisje të ndryshme.

Materialet në ngarkim të personave të ndaluar i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës me mallra, kanë goditur një tjetër rast. Si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Th. Dh., 42 vjeç, banues në Korçë.

– A. Zh., 51 vjeç, banues në Korçë.

– R. Sh., 56 vjeç, banues në Bilisht, Devoll (me detyrë doganier në Pikën Doganore Kapshticë).

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në një kamion që kishte hyrë nga Greqia drejt Shqipërisë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, do të transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë, u organizuan shërbimet e Policisë, të cilat bënë ndalimin e mjetit, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin kamion tip “Man”, me drejtues shtetasin Th. Dh. dhe porositës të mallit shtetasin A. Zh., u gjetën mallra dhe disa pajisje të dyshuara kontrabandë. Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Zh., u gjetën një sasi tjetër me mallra të dyshuara kontrabandë (veshje dhe atlete) të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi R. Sh., me detyrë doganier, ka shpërdoruar detyrën, pasi dyshohet se ka lejuar kalimin e kamionit me mallra të dyshuar kontrabandë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës””, thuhet në njoftimin e policisë.

Zjarr Tv Ad