Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Ilir Alimehmeti kanë nisur takimet me krerët e partive të tjera opozitare, për të negociuar mbi emrin e kandidatit që do të garojë përballë Ogerta Manastirliut në Bashkinë e Tiranës.
Gazetarja e A2 CNN, Arestina Skënderi, është shprehur se takimi mes tyre është mbajtur në një ambient privat dhe sipas saj, krejt rastësisht para tyre në të njëjtin ambient ishin edhe drejtuesja e fushatës së PS në Tiranë, Belinda Balluku dhe kandidatja Ogerta Manastirliu.
Skënderi tha se Balluku dhe Manastirliu ishin në atë ambient për të marrë pjesë në një takim për fuqizimin e grave, por shtoi se teksa u pyetën nga gazetarët për garën në bashki, u shprehën të gatshme të përballen me opozitën.
Skënderi tha gjithashtu se deri më tani, subjektet politike që kanë pranuar të bashkëpunojnë me PD-në janë PAA dhe PR, ndërkohë që Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit është shprehur kategorikisht kundër bashkëpunimit.
“Ka qenë një rastësi mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon takimeve në një ambient privat, aty ku pritet që diskutimet kryesore pritet të jenë rreth kandidaturës së opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Në fakt Balluku sëbashku me Manastirliun kanë qenë në një takim për fuqizimin e grave dhe që nuk ka pasur të bëjë për Bashkinë e Tiranës, por kemi pasur rastin t’i pyesim për këtë të fundit, ku kanë theksuar me ironi se opozita janë shumë të aftë për të gjetur kandidatin, ndërkohë që ne i kemi përballë dhe i presim në garën për Bashkinë e kryeqytetit.
Ndërkohë siç ka theksuar edhe Berisha, është ngritur grupi i punës ku është Këlliçi, Alimehmeti dhe Flamur Noka, të cilët të tre së bashku do të takojnë zotin Duka dhe zotin Mediu për të bërë të mundur bashkimin e opozitës për të dalë me një kandidaturë në zgjedhje.
Ndërkohë që sa i përket partive të tjera, partive të vogla që nuk janë aleatë të PD-së, dimë që zoti Qori ka refuzuar në mënyrë kategorike që t’i bashkohet këtij grupi pune. Ndërkohë të tjerët nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë”, tha mes të tjerash Skënderi.




