Debate mes socialistëve dhe demokratëve në Konferencën e Kryetarëve, ku po diskutohet kërkesa e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Nënkryetari nga radhët e PD, Agron Gjekmarkaj, e ka quajtur “atentator” Peleshin, për sjelljen e tij gjatë seancës së fundit ku u miratua pa debat programi qeverisës dhe kabineti “Rama 4”.
Agron Gjekmarkaj: Jeni në revansh. Sot këtu mungon kryetari i grupit të PD-së. Në vend që të krijoni kushte, me urdhra politikë po tentoni të asgjësoni opozitën dhe Parlamentin. Ju, kryetar, u shfaqët si atentator. Po minimizoni çdo hapësirë të opozitës.
Ju përjashtuat opozitën nga procesi i integrimit dhe këtë e bëtë që në seancën e parë. Në seancën e dytë, ku nuk donit të shfaqnit qeverinë, provokuat opozitën. Ju, kryetar, e keni zhbërë parlamentarizmin. Opozita kërkon ripërsëritjen e seancës dhe ju duhet të mblidhni menjëherë Këshillin e Legjislacionit për mocionin e shkarkimit tuaj. Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet.
Ju nesër mund të sillni Qenin Rex e ta paraqitni si Ministër të Brendshëm, që të lehë për 10 minuta.




