Gledis Nano bën bilancin pas Conference League: 19 policë të plagosur pas përplasjeve të dhunshme, u sekuestruan leva hekuri e sende të rrezikshme

0
24

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, foli në një konferencë për shtyp ditën e sotme, për përfundimin me sukses të finales së UEFA Conference League.

Në fjalën e tij, Nano falenderoi punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe menaxhimin që treguan në mbarëvjatjen e masave të marra në kuadër të finalës së Conference League, që u luajt në stadiumin “Air Albania”.

Nano bëri me dije se nga përplasjet e dhunshme, kanë mbetur të plagosur 19 punonjës policie, duke shtuar se janë sekuestruar thika, shkopinj druri, leva hekuri, pllaka guri, shishe qelqi e sende të tjera të rrezikshme për jetën.

 

Fjala e plotë e Gledis Nanos:

Sot është një ditë kur jo vetëm dhe thjesht do të bëjmë një bilanc të punës së Policisë së Shtetit, në mbarëvajtjen e një prej ngjarjeve më kryesore të UEFA Conference League, e cila u zhvillua në Shqipëri, në stadiumin “Air Albania”, por si kryefjalë të këtij takimi, unë si Drejtues i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kam falënderimin për të gjithë efektivët e Policisë që u angazhuan dhe përballuan një ndër evenimentet më të mëdha ndërkombëtare të futbollit. Në krejt historinë e saj, jo vetëm Policia e Shtetit, por edhe mbarë vendi ynë nuk ishte ndeshur me peshën e organizimit të një eventi të tillë.

Pak orë më parë, në Tiranë u përmbyll me shumë sukses finalja e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës – Itali dhe Feyenoordit – Hollandë. Një aktivitet i përmasave të jashtëzakonshme, që kërkonte një plan të detajuar, angazhim maksimal, profesionalizëm, bashkëpunim dhe mirëkuptim. Për herë të parë Policia e Shtetit hartoi një plan masash të guximshëm dhe me risk, plan i cili, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të strukturave të Policisë së Shtetit, u finalizua me sukses. Për 5 muaj me radhë, duke bashkëpunuar me homologët italianë e holandëzë, me UEFA-n dhe FSHF-në, është punuar maksimalisht nga ekspertët e Policisë për të detajuar çdo masë, me qëllim që ky aktivitet i përmasave evropiane të përmbyllej me sukses.

Gjithashtu, në vlerësim të masave të sigurisë për këtë ndeshje ndërkombëtare të futbollit, si dhe në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga direktivat e Këshillit të Evropës, për shkëmbimin e drejtpërdrejtë dhe të shpejtë të informacionit ndërmjet strukturave të Policisë me ato homologe të vendeve të tjera, në muajin prill të këtij viti, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u ngrit pika kombëtare për shkëmbim informacioni për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, e cila që nga dita e parë e krijimit të saj ishte në komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit jo vetëm me ato të Italisë dhe të Holandës, por edhe të vendeve të tjera fqinje dhe ato evropiane, për të marrë modelet më të mira të praktikës së policimit të ndeshjeve të futbollit të një dimensioni ndërkombëtar.

Policia e Shtetit, duke shfrytëzuar përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, mbështetur në legjislacionin tonë, si dhe në kushtet dhe infrastrukturën që ofron “Air Albania Stadium”, për sa i përket sigurisë, hartoi një plan masash të detajuar për të gjitha strukturat dhe shërbimet e Policisë, për zbatimin e të cilit u angazhuan gjithsej 2800 punonjës policie. Të gjitha këto masa u zbatuan me profesionalizëm nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.

Kanë ndodhur 3 incidente, konkretisht: -goditja me mjete të forta ndërmjet një grupi të tifozëve të Holandës dhe qytetarëve shqiptarë, për të cilin u arrestuan dy tifozë holandezë; -përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh holandezë; -përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh italianë. Siç jeni në dijeni, reagimi i strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë profesional dhe vendimtar, sepse është parandaluar në kohë përplasja me pasoja e grupeve të tifozëve të të dy skuadrave, të cilëve Policia iu sekuestroi thika, shkopinj druri, leva hekuri, pllaka guri, shishe qelqi e sende të tjera të rrezikshme për jetën e shëndetin.

Në vijim të masave, krahas ndjekjes ligjore duke përcjellë materialet hetimore në Prokurori, Policia e Shtetit dëboi jashtë vendit, 80 tifozë ultras të skuadrës së Romës. Nga përplasjet e dhunshme mbetën të plagosur 19 punonjës policie, të cilëve gjej rastin edhe një herë t’u uroj publikisht shërim sa më të shpejtë. Masa të veçanta u zbatuan nga Policia e Shtetit, për të garantuar sigurinë gjatë zhvillimit të aktiviteteve për pritjen e sportdashësve të të dy ekipeve në “Fan Zonat”, për sportdashësit e dy ekipeve, ku nuk ka pasur incidente apo ngjarje me shtetasit italianë dhe holandezë. Para dhe gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të rëndësishëm, një rëndësi të veçantë.

Zjarr Tv Ad