Një përplasje fizike ka ndodhur ditën e djeshme mes të pranishmëve në takimin mbyllës elektoral të Partisë Demokratike në Elbasan.
Ngjarja ka ndodhur mes disa të rinjve në hyrje të stadiumit të Elbasanit, ku dhe u zhvillua mitingu përmbyllës.
Zyrtarët e Partisë Demokratike janë shprehur se ishte vendosur që nga tarraca e stadiumit të hidheshin fishekzjarre. Sipas tyre roja nuk hapte derën e stadiumit me qëllim. Forca politike ka kontaktuar presidentin e klubit dhe ka zgjidhur çështjen, por përgjatë kësaj kohe ka ndodhur dhe konflikti fizik me rojen e subjektit.
Për ngjarjen pati dhe një reagim zyrtar nga Partia Demokratike, e cila në një deklaratë për mediat e cilësoi këtë incident si një konflikt banal mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike.
“Në lidhje me incidentin e ndodhur sot gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike.
Fatkeqësisht, ky episod i izoluar u përdor me shpejtësi nga qarqe të afërta me mazhorancën për ta politizuar dhe për të njollosur suksesin e këtij takimi madhështor,ku qytetarët e Elbasanit treguan mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për Prof. Dr. Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.
Partia Demokratike Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos ndikohen nga manipulime të tilla keqdashëse dhe të mbeten të fokusuar tek qëllimi ynë i përbashkët: fitorja e vlerave demokratike dhe ndryshimi që Elbasani dhe Shqipëria meritojnë”, thuhet në deklaratën e PD.




