Enkelejd Alibeaj nga foltorja e Kuvendit foli për hapjen e dosjeve, që sipas tij nuk bëhet për të parë kush kanë qenë bashkëpunëtorët e sigurimit, por për ata që vdekjen e njerëzve e kanë pasur bukë të përditshme.
Sipas Alibeajt, e gjithë klasa politike sot duhet të jetë kokulur para të burgosurve, atyre që kanë vuajtur, por edhe atyre që kanë humbur jetën si pasojë e regjimit komunist.
“Asgjë triumfaliste nuk ka në diskutimin e kësaj çështje. Nuk do bëj asnjë falënderim, madje unë vetëm jam kokulur në arritjen nëse do të arrihet hapja e dosjeve.
Klasa politike sot duhet të jetë kokë ulur 31 pas rënies së diktaturës. Duhet të jetë kokë ulur para të burgosurve dhe atyre që kanë vdekur në burgjet e komunizmit.
Secili prej nesh duhet ë bëjë një gjë, të heshtë dhe të ulë kokën. Hapje e plotë e dosjeve për këdo dhe pa asnjë kusht nuk është vetëm simbolizmi i ndarjes me diktaturën, por edhe me tranzicionin.
Historia është ajo që nesër duhet të na falenderojë. Nuk bëhet vetëm hapja e dosjeve për të parë kush kanë qenë bashkëpunëtorët e sigurimit, por për të parë kush kanë qenë punëtorët, prokurorët, gjyqtarët, ekspertët dhe gardianë burgjesh që vdekjen e njerëzve të pafajshëm e kanë pasur në bukën e tyre të përditshme.
Do të duhet të gjejmë kurajën për të gjetur kush nuk është i kapur dhe kush nuk ka skelete në dollap. Vendi që kërkon të hyjë në BE duhet ta kishte bërë më parë.
Është fillimi i një procesi purifikues të kësaj shoqërie. Duhet të kuptojmë se cilat janë shkaqet e gjendjes që jemi edhe sot.
Na falni shqiptarë kudo, ju të cilët keni vuajtur dhe nuk gjeni eshtrat, ju qe keni hequr të zitë e ullirit nga hetues dhe bashkëpunëtorë të sigurimit”, theksoi ndër të tjera Alibeaj.




