Ka nisur këtë pasdite protesta e paralajmëruar në Fier, në kujtim të familjes Gushi, e cila u shua në aksidentin e së premtes në aksin Fier-Vlorë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga familjarët e viktimave, qytetarët dhe të afërmit kanë dalë në rrugë me pankarta në duar, ku kërkojnë drejtësi për 4 anëtarët e familjes fatkeqe; Eduart Gushin, 44 vjeç, gruan e tij, Silvana Gushin, 33 vjeçe, dhe dy vajzave të tyre të mitura, Anastasia dhe Eva, përkatësisht 12 dhe 9 vjeçe.
Disa nga mesazhet sensibilizuese ishin për drejtuesit e mjeteve, që të ndërgjegjësohen dhe të bëjnë kujdes teksa ngasin mjetet e tyre, duke shmangur aksidentet rrugore.
“Sa kushton jeta e një njeriu në Shqipëri?”, “Hiqe këmbën nga gazi, mund të vdesë fëmija jot nesër”, “Në jetë bëjmë dy gabime të mëdha: Flasim kur duhet të heshtin dhe heshtim kur duhet të flasim”, kanë qenë disa prej pankartave me mesazhe kushtuar aksidentit tragjik që ndodhi më 25 qershor në aksin Fier-Vlorë.




